Sociale

Priten rregulla te reja anti covid- Bino: Vaksinimi i mësuesve dhe mjekëve detyrim moral

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, nga Poliklinika e Specialiteteve nr.1 në Tiranë, bëri me dije se po punohet për hartimin e udhëzimeve të reja, duke shtuar se masat e thjeshta si mbajtja e maskës, ruajtja e distancës dhe higjinës, duhet të respektohen.

“Ne do të vijojmë që të përqendrojmë të gjithë forcat tona për sa i përket vaksinimit. Por nga ana tjetër pa lënë mënjanë edhe masat e thjeshta, siç janë maska, distanca, higjiena. Të tre këto masa të thjeshta, të cilat janë në mbrojtje të shëndetit publik dhe që për të cilat ne do të vijojmë që të kemi masa shtesë edhe në protokollet të cilat ne jemi duke ndërtuar. Masat e thjeshta ne sërish do t’i quajmë si vendimtare në luftën kundër virusit”, tha Manastirliu.

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino, tha se është rritur vaksinimi me dozat e para, ndërkohë që vaksinimin e mësuesve dhe mjekëve e quajti ‘detyrim moral’.

“Kjo është një javë e cila ka bërë ndryshim në lidhje edhe me përdorimin e vaksinës por edhe me rritjen e dozave të para dyfish. Është e rëndësishme që të rrisim mbulesën vaksinale me të gjitha llojet e mekanizmave. Pra, qoftë për promovimin, qoftë me mekanizma të tjerë. Mësuesit kanë një detyrim moral të vaksinohen. Nuk vaksinohen vetëm për veten, por kanë edhe një detyrim moral me fillimin e shkollës. Ashtu siç e kanë edhe mjekët, personeli shëndetësor”, tha Bino.

Këto ditë janë hapur katër poliklinika të specialiteteve në Tiranë ku mund të kryhet vaksinimi.

Duke folur për situatën epidemiologjike, Ministrja e Shëndetësisë tha se është vënë re një rritje e incidencës 2-javore në grupmoshën mbi 55 vjeç, por ka rritje edhe tek të rinjtë.

“Kemi një rritje me dy herë të incidencës dy javore të rasteve të infektuara. Dhe gjithashtu kemi një rritje të numrit të pacientëve të shtruar në spitalin infektiv. Gjë që tregon një rritje të transmetueshmërisë dhe qarkullimit të variantit Delta, ashtu sikurse tashmë e kemi të konfirmuar. Ajo çfarë vërehet në këto javë, është rritja e qarkullimit në grupmoshat mbi 55 vjeç, që janë ato që janë më të prekura. Por sigurisht ka edhe grupmosha të më të rinjve”, tha Manastirliu.

Deri më tani kryer në total 1,340,339 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre, 575,342 qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë