Sociale

Mbi 44 mijë doza të vaksinës Pfizer mbërrijnë në aeroportin “Nënë Tereza”

Nj sasi prej 44,460 doza të vaksinës "Pfizer" kanë mbërritur në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë, duke e çuar në 1,845,660 numrin e vaksinave të mbërritura në Shqipëri.

Lajmi është njoftuar nga kryeministri Edi Rama, i cili bën edhe një apel për qytetarët që të shfrytëzojnë muajin gusht, si muajin e hapur të vaksinimit masiv.

Gushti është muaj i hapur i vaksinimit për të gjithë qytetarët +18 vjeç, për të kryer vaksinën kudo në qendrat shëndetësore apo në pikat e vaksinimit të përqendruar, ku secili mund të paraqitet me kartën e identitetit.

Për të pamundurit, njësitë e lëvizshme të vaksinimit do të jenë kudo në territor për t'iu dhënë mundësinë e kryerjes së vaksinimit ndaj COVID-19 të gjithë qytetarëve.

Deri më tani në Shqipëri janë kryer më rreth 1 milion e 290 mijë vaksinime, ndërsa 562,418 qytetarë i kanë kryer të dyja dozat.

Rastet me koronavirus kanë pësuar një rritje të ndjeshme, ku në 24 orët e fundit janë regjistruar dy viktima dhe 200 persona të infektuar në të gjithë vendin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë