Politike

Ballkani i Hapur, BE: Mbështesim nismën, të përfshihen të gjitha vendet e rajonit

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanisë, reagimi i radhës në mbështëtje të Ballkanit të Hapur ka ardhur nga Bashkimi Europian.

Në një reagim për mediat, zëdhënësja e Unionit për Fqinjësi dhe Zgjerim, Ana Pisonero thotë se BE mirëpret angazhimet e liderëve për bashkëpunim rajonal.

Pisonero ka rikujtuar gjithashtu zotimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor për krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal.

“Ne i mirëpresim angazhimet e udhëheqësve për bashkëpunimin rajonal, një element thelbësor i perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor dhe një pjesë integrale e Procesit të Stabilizim-Asociimit. Ne e kuptojmë dëshirën për të ecur përpara. Në të njëjtën kohë, një proces që e përfshin të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor është thelbësor. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që rajoni të përparojë në krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal, një angazhim politik i marrë nga gjashtë udhëheqësit e rajonit në Samitin e Sofjes vjeshtën e kaluar”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zëdhënëses së BE-së, Ana Pisonero.

Po ashtu, Pisonero është shprehur se BE është duke krijuar mundësi investimi në rajon përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve dhe se tashmë i takon rajonit që t’i shfrytëzojë këto mundësi në mënyrën e duhur.

“Ne po sjellim mundësi të rëndësishme investimi në rajon nëpërmjet Planit Ekonomik dhe atij të Investimeve. Tani i takon rajonit t’i përdorë mirë duke e shfrytëzuar potencialin e tij të plotë ekonomik dhe duke ngritur një treg të përbashkët rajonal bazuar në rregullat e BE-së.”

Të njëjtat deklarata kanë ardhur është shprehur edhe Qeveria Federale e Gjermanisë. Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se Kosova duhet të jetë më mendje hapur ndaj iniciativave rajonale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë