Kosova po merr një sërë fushatash politike, në përpjekje për të bindur qytetarët të vaksinohen. Shoqata e Bareve dhe Restoranteve të Kosovës ka bërë publike iniciativën “Sigurohu, Vaksinohu”, dhe pjesëtarët e saj po nominojnë njëri-tjetrin për t’u imunizuar kundër COVID-19, në mënyrë që i gjithë stafi i këtij sektori të jetë vaksninuar deri në fund të muajit.
Thirrjet vijnë para se të hyjnë në fuqi masat e reja për luftimin e pandemisë, të cilat përfshijnë edhe mos lejimin e të pavaksinuarve në bare dhe restorante, duke filluar nga data 20 gusht.
Ndërkohë, kafeneja “Bike Friendly Café” në Prishtinë, ndërkohë, po ofron një birrë falas për ata që tregojnë dëshmi të vaksinimit kundër koronavirusit.
Ministria e Shëndetësisë ka prezantuar po ashtu një video-material me moton “Vaksinohu, Delta po vjen!”, përmes së cilës u bën thirrje të gjithë personave mbi moshën 18-vjeç që të marrin vaksinën kundër koronavirusit.

Kosova është ndër vendet me shkallën më të ulët në vaksinimit në rajon, edhe pse autoritetet kanë thënë se ka vaksina të mjaftueshme për të gjithë të rriturit.
Qytetarët e Kosovës mund të zgjedhin mes vaksinave të prodhuesve Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.
Ndërkohë që varianti Delta i koronavirusit vazhdon të përhapet si në Kosovë, ashtu edhe në pjesën më të madhe të botës, qeveritë kanë prezantuar masa të ndryshme për të nxitur vaksinimin.
Vendet si Franca dhe Italia e kanë bërë të detyrueshëm pajisjen me certifikatën e vaskinimit për koronavirus, për të pasur qasje në një mori aktivitetesh.
Serbia ndërkohë, besohet se ka qenë vendi i parë që ka ofruar para të gatshme për vaksinim.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçic i ka ofruar nga 25 euro secilit qytetar që ka marrë të paktën një dozë të vaksinës deri në fund të muajit maj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



