Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar që të miratojnë një rezolutë për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit, të arritur më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë.
Për rezolutën e propozuar nga partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës votuan 24 deputetë, ndërkaq 57 abstenuan. Ishin deputetët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ata që abstenuan për miratimin e kësaj rezolute, ndërkaq në sallë ishin 83 deputetë.
Rezoluta ftonte Qeverinë e Kosovës të zbatonte këtë marrëveshje dhe të përgatiste një plan-veprim që do t’i dorëzohej kuvendit. Debati për këtë rezolutë ishte zhvilluar më 7 korrik.
Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar që presin nga Kosova dhe Serbia t’i përmbahen detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Uashingtonit.
Rezolutat e miratuara nga kuvendi nuk janë detyruese, por pasqyrojnë vullnetin politik.
Marrëveshja e Uashingtonit për normalizimin e raporteve ekonomike ndër të tjera, parasheh angazhimin e Kosovës dhe Serbisë në ndërtimin e lidhjeve rrugore dhe hekurudhore, për të lidhur kryeqytetet e tyre në mënyrë që të përmirësojnë lëvizjen e mallrave dhe njerëzve, zhvillime këto që mund të tërheqin investime perëndimore.
Sipas marrëveshjes, Kosova zotohet të bëhet pjesë e nismës së “mini-Shengenit” apo siç njihet tani me termin “Ballkani i Hapur” që parashikon lëvizjen pa pasaporta dhe detyrime tarifore në vendet e Ballkanit. Në këtë nismë bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Këtë inciativë është shprehur kundër kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Marrëveshja e Uashingtonit u nënshkrua nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçië, në prani të presidentit të amerikan në atë kohë, Donald Trump.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




