Trashëgimi

Mozaiku i Tiranës, “thesari” që duhet të kthejmë kokën

Nëse eksploron e “gërmon” rreth e përqark Shqipërisë do të mund të gjesh mozaikë (pikturë monumentale dekorative) dhe objekte arkeologjike me vlera të mëdha. Ndonëse mjaft prej tyre janë zbuluar në Shkodër, Durrës, Apoloni, Sarandë, Butrint, etj., edhe në metropolin shqiptar është zbuluar një i tillë, i vetmi monument arkeologjik brenda territorit të tij.  

Jo shumë larg qendrës së kryeqytetit, përbri rrugës “Sandër Prosi” afër “21 Dhjetorit”, gjendet ai që quhet Mozaiku i Tiranës, anipse jo shumë kryeqytetas kanë dëgjuar të flitet për të. Edhe pse Mozaiku mbart vlera tejet të rëndësishme historike për kryeqytetin shqiptar dhe jo vetëm, shumëkush nuk di as për ekzistencën e tij në Tiranë.

“S’e dija fare që ekzistonte, edhe pse jam tiranase. Ndoshta dhe emigrimi na ka larguar”, thotë një zonjë rreth të 50-ave për Gazetën “Si”.

“Kur u realizuan gërmime para ca kohësh, kishte interes për ta parë Mozaikun nga afër. Dolën dhe eshtra madje”, shprehet një mesoburrë që duket i apasionuar pas objekteve të trashëgimisë kulturore dhe thekson se “po, ky duhet vizituar, është monumenti më i veçantë që kemi”.

Në derën kryesore, sapo bën të hysh brenda kangjellave që rrethojnë objektin një tabelë e varur në portën kryesore shkruan: “Këtu gjendet një mozaik i vjetër. Monument kulture, mbrohet nga shteti”.

Mozaiku i Tiranës do të zbulohej në vitin 1972 kur gjatë punës për ndërtimin e pallateve të bllokut “Partizani” në lagjen numër 9 të kryeqytetit u zbuluan rrënojat e një ndërtese antike, njëri nga ambientet e të cilit ishte i shtruar me mozaik.

Ky monument që duket i zakontë për qytetarët që kalojnë rreth tij dhe vijojnë rutinën e ditës, në sytë e turistëve të huaj është një objekt kulti grishës dhe një atraksion i veçantë kulturor.

“Ka shumë të huaj, turistë që vijnë këtu. Hyjnë dhe shikojnë me vëmendje të gjitha pjesët përbërëse të saj. I fotografojnë”, shprehet një zonjë tjetër, aty pranë Mozaikut.

Gjetjet arkeologjike do të tregonin se kjo banesë i përket një vendbanimi të thjeshtë fshatar dhe vila fshatare quhet (rustica), një ndërtim tipik i periudhës romake.

Salla me mozaik është ambienti kryesor i saj. Mozaiku ka kryesisht motive gjeometrike dhe floreale dhe vlerat e tij janë të pazëvendësueshme, pasi është vendbanimi më i vjetër i Tiranës.

“Është një nga monumentet më të rëndësishme të qytetit të Tiranës, për arsye se kemi të bëjmë me një vilë të periudhës romake dhe është një ndër të rrallat e këtij lloji në vendin tonë. I përket së njëjtës periudhë që datojnë dhe vilat e kësaj natyre në Ballkan, dhe sigurisht në Mesdhe”, thotë arkeologu Mariglen Meshini për Gazetën “Si”.

Pas gërmimit për ndërtimin e bllokut të pallateve, arkeologu Meshini do të zbulojë se ka pasur edhe gërmim shkencor.

“Fillimisht vila është zbuluar si pasojë e gërmimeve për ndërtimin e bllokut të pallateve. Më pas ka kaluar në një gërmim shkencor të realizuar në fund të viteve ‘70 dhe në fillim të viteve ‘80 nga profesor Skënder Anamali dhe më pas është vijuar nga profesor Leka Meksi”.

Në Mozaik ndihet influenca italiane, ku motivet paleokristiane janë më evidente, simbolet e peshqve, gjetheve të urthit, gërshetit dysh, por dhe vetë simboli i kryqit. Kalldrëmet e gurta të këtij vendi historik, fragmentet e tullave dhe tjegullave e bëjnë vendin më interesant e të duket sikur ec nëpër vite.

Pjesa e gërmuar e monumentit u rrethua dhe u mor në mbrojtje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK) në vitin 1973. Gjatë viteve 2003-2004, punimet e sistemimit të rrugëve dhe instalimeve të ndryshme të bllokut “Partizani” zbuluan pranë rrethimit të monumentit pjesë të tjera të kompleksit, ku më kryesoret ishin vaskat e fermentimit të mushtit të rrushit, por edhe pjesë të tjera muresh.

Por ky “dokument” autentik, që përfshin rreth 168 m2 dhe ruhet ashtu siç është gjetur, me sa duket ka ende mistere të pazbuluara.

“Së fundmi ne po vijojmë gërmimin e lënë përgjysmë në vitet 2006-2008 me qëllim plotësimin e gjithë monumentit me elementët e saj. Po realizohet nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Gërmimi synon promovimin e tij, njohjen në një shkallë më të gjerë, jo vetëm për turistët, por edhe njerëzit e thjeshtë. Ta sjellim Mozaikun në një tjetër nivel nga çfarë kemi sot, t’i japim një pamje më të plotë”, vijon arkeologu.

Mozaiku i Tiranës ta ngacmon domosdo kujtesën, pasi çdo objekt e rrënojë e gjetur aty evokon kujtimet e së kaluarës, por të gjithë duhet të bëjmë më shumë: ne që duhet ta kthejmë sadopak kokën kur kalojmë andej dhe ata që duhet të rrinë gjithnjë me kokë andej, duke investuar e promovuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë