Një kërkesë si shumë të tjera e një prokurori, i cili synoi të përjashtohej nga gjykimi i tij trupa gjyqësore, ka sjellë një hetim administrativ edhe për vetë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Burime Ekskluzive të Gazetasi.al bëjnë me dije se çështja e zbulua në seancën publike që u hap në muajin korrik ndaj prokurorit të kryeqytetit Dritan Gina, që përmes avokatit të tij Eno Bushi deklaroi se kishte kërkuar gjatë muajit maj 2020 përjashtimin nga çështja e tij të kryesueses Etleda Ciftja dhe relatores Xhensila Pine.
Kjo kërkesë e protokolluar me shkrim nuk kishte marrë asnjë përgjigje, teksa një pretendim tjetër për anëtaren tjetër Valbona Sanxhaktari që ishte depozituar në të njëjtën ditë ka marrë përgjigje. Ky qëndrim i Dritan Ginës jo vetëm ka shkaktuar habi gjatë asaj seance, por edhe më pas ka regjistruar një debat të fortë duke e detyruar KPK që të ngrejë një panel për të zbuluar arsyet se përse nuk u shqyrtua kërkesa e subjektit. Megjithatë teksa të gjithë duket se po shfajësohen me padijeni, burimet e Gazetasi.al bëjnë me dije se barra po shkarkohet tek një sekretare e protokollit me inicialet D. N.
Në njërin nga takimet që janë zhvilluar për të kuptuar çfarë ka ndodhur gjatë asaj kohe kur kryetare e KPK-je ishte Genta Bungo ka dhënë deklarimet administrative edhe ish- Shefja e Vettingut, aktualisht anëtare e trupave të vettingut.
Sakaq në procesverbalin që është mbajtur regjistrim Genta Tafa argumenton se përderisa ka pasur dy kërkesa nga subjekti ku për njërën është ngritur një trupe e posaçme për ta shqyrtuar kërkesën, ndërsa për tjetrën nuk është ngritur “atëherë me siguri nuk ka ardhur tek kryetari kërkesa”. Më tej, ajo vijon duke sqaruar se “me sa kuptoj flitet që ato janë depozituar në muajin maj 2020, të vitit të kaluar, që ka qenë një situatë pandemie dhe punët janë bërë kryesisht online”.
“Kështu që edhe mbledhja është bërë vetëm për një kërkesë, ajo që më bën përshtypje është që nga eksperienca kur subjektet bëjnë kërkesa të tilla për përjashtimin e anëtareve, në këto katër vite eksperiencë, subjektet kërkojnë vendimin lidhur me kërkesat e tyre, ndërsa në këtë rast nuk ka ndodhur. Për mendimin tim në këtë rast ka një rreng, mendoj që qëllimi është që ta vejë në pozita të vështira komisionin”, argumenton Genta Tafa Bungo
Burimet e Gazetasi.al bëjnë me dije se në këtë panel hetimi administrative ka diskutuar dhe ka kërkuar llogari edhe Pamela Qirko, e cila aktualisht mban karrigen e kreut të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, teksa më herët kishte dhënë parashtrimet e saj edhe D. N, tek e cila pritet të bjerë barra e këtij skandali që me gjasë do t’ja lehtësojë ndjeshëm pozitën prokurorit. Në mos në shkallën e parë në shkallët e tjera, përderisa hetimi ndaj tij është kryer gjatë këtyre muajve nga një trupë për të cilën në dy kërkesa të ndryshme ai kërkoi përjashtimin e saj dhe nuk mori përgjigje.
Pamela Qirko sipas burimeve të Gazetasi.al mësohet të ketë thënë se, “unë nuk kam qenë kryetare në atë kohë, por rezulton që kërkesa e parë është dorëzuar tek Genta që ka qenë kryetare dhe është vijuar duke zgjedhur trupën me short që ka shqyrtuar përjashtimin e Valbonës. Ndërsa kërkesa e dytë ka mbetur në protokoll. Personi përgjegjës në atë kohë është larguar nga puna në muajin shtator 2020. Mua më duket e vështirë që të jetë një gabim njerëzor”.
“Kam dyshimet e mia si ka mundësi që subjekti i rivlerësimit nuk u shqetësua që nuk ka marrë përgjigje për kërkesën e tij. Ai mori përgjigje për njërën kërkesë dhe për tjetrën jo, kështu që kam dyshime që kjo është bërë me qëllim dhe në bashkëpunim. D.N . në atë kohë nuk ka qenë, por ka qenë dikush tjetër në atë pozicion dhe kërkesat nuk kanë qenë në një zarf por në dy zarfe të ndryshme. Nga sa më sipër unë do marr masat, do filloj procedimin disiplinor dhe do hetojmë, të shohim edhe kallëzim penal mund të bëhet” mbyll fjalën e saj kryetarja sipas burimeve që e citojnë atë për Gazetasi.al në mënyrë Ekskluzive dhe që ishin të pranishme në këtë hetim të nisur nga KPK
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



