Projeksionet e rritjes ekonomike për vitin 2021 do të mbahen të pandryshuara, sipas projektvendimit të programit buxhetor afatmesëm 2022-2024 të botuar në Fletoren Zyrtare.
“Pas recensionit të fortë në 2020, me rënie prej 4% sipas vlerësimeve të fundit të INSTAT ekonomia pritet të rikuperohet në 2021 dhe të vijojë trendin pozitiv në periudhën afatmesme. Gjatë periudhës afatmesme rritja pritet të gjenerohet nga kërkesa e brendshme, konsumi dhe investimet”, shkruhet në dokument.
Sipas projektvendimit të programit buxhetor afatmesëm rritja ekonomike parashikohet 5,5% për 2021 dhe parashikohet të qëndrojë mbi nivelin 4% gjatë periudhës vijuese. Rritja ekonomike për vitin 2022 do të jetë 4,8%, për 2023 rritja 4,5% dhe 3,9% në 2024.
Konsumi final për periudhën afatmesme 2022-2024 parashikohet të rritet në terma real mesatar rreth 3% në vit duke kontribuar mesatarisht 2,7% në vit në rritjen e PBB-së. Ndërsa investimet totale në ekonomi parashikohen të rriten në terma realë rreth 6,4% në vitet 2022-2024 me një kontribut në rritjen totale me 1,5% në vit.
Sipas dokumentit, politika fiskale do të jetë e orientuar drejt konsolidimit në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, politika buxhetore e qeverisë për të ruajtur një nivel të investimeve mbi 4,5 % të PBB-së (2022-2024) do të ndikojë në formulimin e kapitalit fiks e mbështetur në rritje të larta të periudhës afatmesme dhe afatgjatë.
Ky kuadër fiskal synon një deficit fiskal të përgjithshëm prej 2,9% në 2022 nga 6,5% që ishte parashikuar në 2021, nivel prej 2,3% të PBB-së në 2023 dhe 2% të PBB-së në 2024.
Njëkohësisht si pasojë e dy goditjeve të njëpasnjëshme, tërmeti dhe pandemia, balanca primare pritet të shënojë vlera lehtësisht negative në 0,1% në 2022 ndonëse me përmirësim të forte nga niveli 3,9% që parashikohet deri në fund të 2021. Rikthimi në vlera pozitive targetohet në 2023 në 0,6% dhe në 2024 në vlerën e 1,1%.
Për punësimin synohet rritja e pjesëmarrjes së punëkërkuesve të papunë të grupeve të veçanta me 50% nga programet e punësimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje