Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kallëzon në SPAK ministren e Kulturës, Elva Margariti. Padia është dorëzuar këtë të premte në SPAK. Ky kallëzim ndaj ministres Margariti vjen pasi artistët dy ditë më parë iu drejtuan institucionit që ajo drejton për të dorëzuar një kërkesë për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me godinën e Teatrit Kombëtar, por rojet u mbyllën derën dhe kjo shkaktoi tension në rrethin e artistëve.
Juristja Adriana Kalaja tha se ministrja Margariti ka konsumuar elementë të veprave penale të shpërdorimit të detyrës, korrupsionit pasiv dhe refuzim të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Po kështu nën akuzë sipas tyre duhet të jenë dhe 4 efektivë policie.
“Siç e kishim cituar në kërkesën tonë drejtuar Ministrisë së Kulturës për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ne e konsiderojmë si konsumim të elementëve të veprës penale të shpërdorimit të detyrës, të korrupsionit pasiv dhe të refuzimit të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kemi kërkuar ndjekje penale jo vetëm për znj. Margariti, por edhe për 4 policët për zbatimin e një urdhri të paligjshëm, për sjellje ne tyre në shkelje të etikës, në mënyrën e dhunshme ndaj artistëve dhe qytetarëve që shkuan thjesht për të depozituar një kërkesë”, thotë Kalaja.
Sipas Aleancës, ministrja Margariti ka shpërdoruar detyrën.
“Ne gjykojmë që ministrja Margariti ka shpërdoruar detyrën dhe kjo e rëndon veprën penale që ministrja Margariti ka bërë që me vendimin e transferimit të pronës që u shpall antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Margariti së pari do përgjigjet për veprat penale të kallëzuara nga ne në korrik 2020 dhe për veprat penale që po i konsumon në krye të detyrës”, tha Kalaja.
Ajo theksoi se drejtësia për teatrin duhet të vihet me çdo kusht. “SPAK akoma nuk po reagon, akoma nuk po merr vendimin që duhet të marrë. Afati i hetimeve ka përfunduar dhe ne duhet të marrim një përgjigje se çfarë është bërë me kallëzimet tona dhe me reagimin jo etik fyes që i bënë Aleancës, në lidhje me disa kërkesa që i kemi bërë, me pozicionin ku ndodhen hetimet dhe për një takim që duhet të bëjë me artistët e Aleancës”, u shpreh Kalaja.
Ndërkohë, aktori Neritan Licaj thotë se “përvec truallit duhet të kthehet dhe godina. Teatrin nuk e zhbëni dot”.
“SPAK-u duhet të kishte reaguar me kohë, gjë që nuk po e bën. Po ju media që thoni gjithmonë trualli, kush ua dha juve këtë informacion. Jo, është prona dhe prona do të thotë rikthimi i godinës”, vijon më tej aktori Robert Budina.
Anëtarët e Aleancës për Teatrin Kombëtar më 28 korrik u paraqitën para Ministrisë së Kulturës, ndërsa rojet u mbyllën derën. Sipas artistëve, ky ishte një rast i paprecedent, pasi ata do të hynin brenda duke respektuar rregullat me vetëm dy përfaqësues.
Ministrja Margariti do të reagonte pas tensionit që u krijua mes artistëve duke thënë se nuk është bërë kërkesë për takim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



