Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) në raportin periodik të Konkurrueshmërisë për vendet e Ballkanit Perëndimor vlerëson se kriza e COVID-19 për disa vende, duke përfshirë edhe Shqipërinë, solli rritje të borxhit publik duke rrezikuar qëndrueshmërinë e tyre financiare në vazhdim.
Raporti vlerëson se perspektiva afatgjatë që do të ketë vendi ynë por edhe ato të tjera në rajon me të njëjtën situatë do të varet nga masat që do të marrin qeveritë duke nisur nga baza e taksave tek shënjestrimi i fushave me produktivitet të lartë.
“Sfidat e politikës fiskale janë të shumë në disa ekonomi të rajonit. Performanca e të ardhurave është e dobët për shkak të një baze relativisht të ngushtë tatimore, evazionit fiskal dhe sektorit të madh informal. Shkalla e ulët e taksave dhe mungesa e progresivitetit të taksave në shumë ekonomi kufizojnë më tej hapësirën për rritje të të ardhurave.
Nga ana tjetër, një pjesë e madhe dhe në rritje e shpenzimeve publike shkon për pagat në sektorin publik, si dhe subvencionet dhe transferimet. Kjo jo vetëm që ka kufizuar nivelin e shpenzimeve të kujdesshme siç u duk në përgjigjen ndaj pandemisë COVID-19 por gjithashtu kanë pasur një ndikim mbi shpenzimet kapitale në shumë ekonomi.
Në disa të tilla si Shqipëria dhe Mali i Zi, kjo gjithashtu ka pasur ndikim të fortë në nivelet e borxhit publik dhe qëndrueshmërinë e financave publike. Perspektivat e zhvillimit afatgjatë të ekonomive do të varen ndjeshëm nga përpjekjet e qeverive për të zgjeruar bazën e taksave, përmirësimin e pajtueshmërisë dhe rritjen e efikasitetit dhe efektivitetit të shpenzimeve publike dhe shënjestrimi i fushave me produktivitet të lartë duke zgjeruar potencialin (p.sh. infrastruktura e gjelbër, shëndetësia, arsimi, etj.)” vlerëson raporti.
Borxhi publik është kthyer në shqetësimin e momentit duke qenë se pak javë më parë përmes një akti normativ qeveria, autorizoi rritjen e tij nëpërmjet zgjerimit të deficitit buxhetor në 120 miliardë lekë (rreth 1 miliard euro) nga 108 miliardë lekë që ishte në fillim të vitit, duke e çuar totalin e detyrimeve rreth 1,3 triliardë lekë.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë e ka justifikuar këtë hap me faktin që pas vështirësive me të cilën u përball ekonomia për shkak të tërmetit të 2019 dhe COVID-19 në vitin 2020 ka nevojë për stimul në mënyrë që të mbështetet rritja e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje