Kosova

Një muaj paraburgim për shoferin e autobusit që shkaktoi tragjedinë në Kroaci

Një gjykatë në Kroaci, ka vendosur një muaj paraburgim për shoferin e autobusit që shkaktoi tragjedinë shqiptare, ku humbën jetën 10 persona.

Autoritetet kroate dëgjuan palët, shoferin dhe provat e grumbulluara, ndërsa këtë të martë vendosi që shoferi të qëndrojë një muaj në paraburgim dhe më pas do të ketë vlerësim në vazhdimësi të masës në bazë të hetimeve që po vijojnë nga autoritetet.

“Shoferi ishte i lodhur momentin që humbi kontrollin e autobusit dhe i paaftë për ta drejtuar në mënyrë të sigurt”, – theksojnë autoritetet kroate.

“Gjyqtari urdhëroi paraburgimin për një muaj, për shkak të mundësisë së mundshme të largimit nga Republika e Kroacisë, pra arratisjes”, – tha avokati.

Por edhe vetë shoferi pas arrestimit e pranoi se për një moment e kishte zënë gjumi në timon, edhe pse kishte vetëm 30 minuta që kishte ndërruar me kolegun e tij.

Mediat kroate shkruajnë se në bazë të ligjeve vendase, shoferi nga Kosova rrezikon maksimumi 15 vite burg për aksidentin që shkaktoi.

Ndërkohë, përmirësohet gjendja shëndetësore e shumicës e qytetarëve nga Kosova që u plagosen gjatë aksidentit tragjik që ndodhi të dielën në Kroaci.

Autoritetet shëndetësore bënë të ditur se mbi 20 prej tyre do të marrin mjekimin në shtëpi, ndërsa në situatë kritike për jetën vijojnë të mbeten vetëm dy persona.

Nëntë pasagjerë dhe shoferi i dytë i autobusit nuk arritën që të mbijetonin, ndërsa 42 u lënduan, 15 në gjendje më të rëndë dhe 15 janë akomoduar nga autoritetet kroate. Të hënën, 26 korrik, Kosova shpalli ditë zie kombëtare..


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë