Kosova

Video në 3D, si ndodhi aksidenti tragjik në Kroaci. Flet eksperti i sigurisë rrugore

Mediat kroate kanë rindërtuar në versionin 3D aksidentin tragjik të autobusit me targa të Kosovës, i cili u përmbys në Slavonski Brod të Kroacisë. “Ilustrimi është bërë me ndihmën e informacioneve pas një hetimi policor”, – shkruan “dnevnik.hr”.

Bazuar në po këtë ilustrim pasi kishte kaluar në zonën e gjelbër, autobusi i pasagjerëve është përmbysur, duke shkaktuar vdekjen e 10 personave.

Sipas informacioneve të vërtetuara, shoferi i autobusit po lëvizte në korsinë jugore në drejtim të Lipovacit, në kilometrin e 211-të, kur humbi drejtimin dhe doli nga rruga.

Një ekspert kroat për sigurinë rrugore, Stanko Smodlaka, u shpreh për mediat kroate se aksidente të tilla ndodhin në orët e para të mëngjesit, pasi drejtuesi i autobusit është i lodhur nga nata.

“Unë nuk i di detajet e asaj tragjedie, por nëse përcaktohet se nuk ka gjurmë të frenimit dhe rrëshqitjes në rrugë, atëherë njëqind për qind shoferin e ka zënë gjumi. Nëse nuk ka gjurmë në trotuar, atëherë kjo do të përjashtonte gjithashtu mundësinë që goma të ketë shpërthyer, sepse nëse kjo do të kishte ndodhur, do të duhej të kishte gjurmë edhe në trotuar. Aksidente si ky, të cilat ndodhin në orët e para të mëngjesit, ndodhin, sepse njerëzit i zë gjumi veçanërisht nëse ata kanë drejtuar makinën tërë natën” tha Stanko Smodlaka.

Ndërkohë një shofer kroat me eksperiencë më shumë se 20 vjeçare në udhëtimet ndërkombëtare ka theksuar edhe njëherë vështirësitë me të cilët shoferët kosovarë ndeshen.

“Kur ka dy shoferë, atëherë pushimet për shkak të lodhjes së shoferit nuk duhet të bëhen, ata thjesht i dorëzojnë timonin njëri-tjetrit. Problemi është nëse këta shoferë kanë bërë një udhëtim tjetër një ditë më parë dhe nuk kanë arritur të pushojnë, pasi punëdhënësi i dërgoi ata në rrugën për në Prishtinë. Unë e di që shoferët, veçanërisht nga Kosova kanë edhe një problem tjetër të madh sepse ata mbahen në kufij për disa orë dhe pastaj mbase shkelin disa rregulla për të arritur në destinacion në kohë” tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë