Kosova mban zi këtë të hënë, 26 korrik, për 10 viktimat që humbën jetën në Kroaci, ku autobusi me të cilin ishin nisur drejt Kosovës, doli nga rruga dhe u përmbys.
Pas aksidentit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shpalli 26 korrikun ditë zie shtetërore. Në nder të viktimave institucionet e Kosovës kanë ulur flamurin në gjysmështizë.
Edhe flamujt në objektin e Qeverisë, Kuvendit dhe Komunës së Prishtinës janë ulur në gjysmështizë. Autobusi me 67 udhëtarë përfshirë fëmijë, ishte nisur nga Frankfurti për në Kosovë, ndërsa herët në mëngjesin e së dielës doli nga rruga në qytetin kroat, Sllavonski Brod.
Gjatë orëve të mbrëmjes, të dielën, edhe kryeministri i vendit Albin Kurti së bashku me disa prej ministrave kanë arritur në Kroaci, ku dhe kanë vizituar të lënduarit e aksidentit. Kryeministri i Kroacisë është zotuar se qeveria e tij do të mbulojë shpenzimet e të plagosurve në spitale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




