Kosova

Tragjedi në Kroaci/ 10 viktima pasi autobusi nga Kosova del nga rruga

Një aksident është regjistruar ditën e sotme në autostradën “Slavonski Brod”, në Kroaci.

Një autobus me targa të Kosovës ka dalë nga rruga dhe për pasojë 10 pasagjerë kanë humbur jetën, ndërsa më shumë se 30 persona janë transportuar në spital. Mësohet se autobusi i aksidentuar është i linjës Frankfurt-Prishtinë.

Shkak i daljes së autobusit nga rruga dyshohet se ka qenë lodhja e shoferit, të cilët kishin vetëm 30 minuta që ishin ndërruar pas një pushimi që kishin bërë në Kroaci. 

LEXO EDHE:
– Arrestohet shoferi i autobusit nga Kosova: Më zuri gjumi
– Aksidenti tragjik me 10 viktima, Rama dhe Basha ngushëllojnë familjarët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ende nuk ka konfirmime zyrtare për detajet e aksidentit.

“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për aksidentin tragjik në Kroaci, të një autobusi me targa të Kosovës. Ndonëse ende nuk kemi konfirmime zyrtare për detajet, lutemi të ketë sa më pak të vdekur e sa më shpejt të shërohen të lënduarit. Ministri ynë i Punëve të Brendshme po niset për Kroaci, ndërkaq drejt vendit të aksidentit te autostrada e Sllavonski Brodit tashmë është nisur ambasadori ynë në Zagreb”, ka thënë Kurti përmes një postimi në Facebook.

Presidenti kroat, Zoran Millanovic, ka shprehur ngushëllime për familjet e pasagjerëve të vdekur, derisa ka thënë se është me autoritetet dhe popullin e Kosovës në këtë moment të vështirë për ta.

“U uroj shërim të shpejtë pasagjerëve të plagosur”, ka thënë ai përmes një postimi në Facebook.

Shefi i Policisë Rrugore, Franjo Galic, i cili ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes deklaroi se ky është një aksident shumë i rëndë automobilistik, “Një nga më të vështirët me të cilët jam përballuar”, ka thënë ai.

Ndërsa sipas pasagjerëve në autobus ndodheshin mbi 60 persona.

Nga ana tjetër zëdhënësi i policisë Brod –Podavina, Damir Brezic ka thënë se situata është e vështirë dhe se numri i pasagjerëve në rrezik për jetën mbetet i lartë.

Drejtori i spitalit në Sllavonski Brod, Josip Samarxhiq, ka raportuar se 45 persona janë pranuar në spital që nga mëngjesi i së dielës, prej të cilëve, tetë janë në gjendje të rëndë, ka raportuar Radio Televizioni Kroat (HRT).

Aksidenti ka ndodhur afër shtëpizës për pagesë të rrugës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur tragjik, lajmin për aksident.

“Me zemër e me shpirt sot jemi me familjet që humbën më të dashurit në këtë tragjedi. Dhimbja është e papërshkrueshme e humbja shumë e madhe. Ngushëllime të sinqerta për të gjithë!

Shteti i Kosovës do të jetë në krah të familjeve të atyre që humbën jetën, sikurse edhe të të lënduarve, të cilëve ju dëshiroj shërim të shpejtë”, ka thënë Osmani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë