Gjykata e Lartë ka urdhëruar zhvendosjen e shtetasit Arben Strazimiri nga spitali i burgut të Fushë-Krujës në një institucion mjekësor të specializuar në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, duke rrëzuar kështu dy vendimet e mëparshme të gjykatave shqiptare për këtë çështje.
Dosja “Strazimiri” përfundoi deri në Gjykatën e Strasburgut, të cilës iu adresua Komiteti Shqiptar i Helsinkit për trajtim çnjerëzor dhe mungesë trajtimit të duhur mjekësor për Strazimirin. Në fund të procesit, Strasburgu votoi unanimisht për të ndëshkuar shtetin shqiptar me 17 mijë e 500 euro gjobë për “trajtim çnjerëzor dhe degradues dhe shkelje të së drejtës për liri dhe siguri”.
Arben Strazimirit është arrestuar në vitin 2008 për tentativë vrasje me paramendim. Në vendim e Strasburgut thuhet se ai është i liruar nga përgjegjësia penale për shkak të problemeve mendore, por mbahej në burg dhe jo në një institucion të kujdesit mjekësor.
Duke u bazuar në vendimin e Strasburgut, më 15 korrik Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ndryshoi dy vendime të mëhershme dhe urdhëroi ndërprerjen e menjëhershme “të trajtimit çnjerëzor dhe poshtërues ndaj shtetasit Arben Strazimiri dhe vendosja e tij në një institucion mjekësor të specializuar”.
Vendimi i Gjykatës së Strasburgut ka nxjerrë në pah dështimin e vazhdueshëm të autoriteteve shqiptare për të ngritur dhë vënë në punë një institucion të posaçëm mjekësor për të sëmurët mendorë të dënuar me vendim gjykate.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



