SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjykatë për hetim një procedim penal të nisur vitin e kaluar ndaj një ish-zyrtari të burgut “Jordan Misja”, Burgu 313, në Tiranë, dhe anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në këtë institucion, që akuzohet për shkelje të barazisë në tendera publikë dhe shpërdorim detyre.
I akuzuari është shtetasi Florin Ahmetaj, që duke shfrytëzuar pozicionin si përgjegjës i Sektorit të Logjistikës në këtë burg i ka dhënë vetes disa tendera. Sipas SPAK, Ahmetaj ka krijuar në fund të janarit 2018-të një person tregtar fizik në emër të kunatit të tij dhe më pas i ka dhënë tenderat që organizoheshin nga burgu.
“Pas regjistrimit të personit fizik, duke përfituar nga pozita e tij si Shef i Sektorit të Logjistikës në IEVP – në “Jordan Misja” dhe anëtar i Komisionit të Prokurimit për Blerje të Vogla, bën të mundur që në mënyrë të kundëraligjshme personi fizik të përfitojë kontrata në disa procedura prokurimi dhe blerje pranë IEVP “Jordan Misja”, thuhet në njoftimin e SPAK.
SPAK thotë se subjekti i ri tregtar ka përfituar 12 procedura prokurimi me një vlerë totale rreth 2.7 mln lekë të organizuara nga burgu “Jordan Misja” brenda një harku të shkurtër kohor dhe megjithëse vepronte në treg vetëm për 14 muaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



