Edhe pse numri i të sëmurëve ka shkuar në mbi 1 mijë e 500, asnjë nga autoritetet në Kosovë nuk di të thotë nga se u helmuan mijëra banorët e qytetit dhe fshatrave përreth Deçanit.
Mediat dhe Prokuroria i përqendruan të gjitha dyshimet tek uji i pijshëm, i cili raportohej të ishte i ndotur, por analizat mikrobiologjike të mostrave të ujit kanë rezultuar negative.
Lajmi u konfirmua sot nga zëdhënësja e IKSHPK, Adnora Nurboja, e cila tha se uji në Deçan nuk është i infektuar.
Megjithatë, ajo shtoi për mediat se pavarësisht rezultateve, në vijim do të merren sërish mostra për testim. Edhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani është shprehur më herët se helmimet nuk kanë ndodhur për shkak të ujit.
Ai theksoi se kjo nuk do të thotë se helmimi nuk vjen nga uji, por se analiza të tjera do të vazhdojnë për të gjetur shkakun.
“Rezultatet laboratorike që kanë dalë sot flasin për momentin se nuk kemi asnjë pistë të helmimit nga uji. Por, kjo nuk do të thotë se kjo është përfundimtare. Do të vazhdojmë të analizojmë monstrat e ujit si dhe pacientët”, shprehet Ramadani.

Helmimi i qindra qytetarëve në Deçan ka bërë që komuna të shpallë gjendje emergjente.
Gjatë ditës, udhëheqësit e institucioneve që kanë vizituar pacientët e shtruar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan, kanë bërë thirrje për hetim sa më të shpejtë të këtij rasti. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duket se ka hedhur poshtë pistën e helmimit nga uji, gjatë një vizitë zhvilluar një vizitë në këtë komunë,
Osmani deklaruar se ka pasur edhe qytetarë që janë helmuar edhe nuk kanë qenë të furnizuar nga i njëjti burim uji.
“Pres që institucionet e drejtësisë dhe ato të hetuesisë ta trajnojë rastin me urgjencë që ta dimë më parë që të jetë e mundur shkakun e helmimit”, tha Osmani.
Drejtori i qendrës shëndetësore në këtë komunë, Musa Berisha thotë nga ana tjetër se fluksi i pacientëve me simptoma helmimi ka vazhduar të jetë i edhe mbrëmjen e së mërkurës dhe mëngjesin e sotëm.
“Gjatë gjithë natës ka pasur fluks jashtëzakonisht të madh. Fatkeqësisht edhe gjeografia e terrenit ka ndryshuar dhe nuk bëhet fjalë vetëm për 11 fshatra, por edhe fshatra të tjera përreth”, tha ai.
Sipas të dhënave zyrtare, shqetësime u shfaqën nga banorët e fshatrave Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




