Situata e helmimit në Deçan të Kosovës ka marrë përmasa tragjike, pasi 2 prej të prekurve kanë humbur jetën. Lajmi u konfirmua nga Prokurori i i Pejës, Shkodran Nikçi.
Gjatë 24 orëve të fundit, kanë ndodhur dy vdekje të dyshimta në komunën e Deçanit. “Për shkak të situatës së krijuar në rajon, Prokurori i Departamentit të Krimeve të Rënda, ka urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen në mjekësinë klinike për të kuptuar me shumë lidhur me rrethanat e vdekjes se tyre”, tha Nikçi.
Të paktën 900 persona të tjerë janë helmuar në Deçan nga uji i pijshëm. Edhe pse kanë kaluar disa ditë nga rastet e para, ende nuk ka një përgjigje nga analizat e ujit. Më shumë se 400 pacientë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se nga rezultatet e para ka dalë që kimikisht uji është i pijshëm. Këtë muaj është dyshuar dy herë për helmim uji, duke bërë që autoritetet lokale të supozojnë edhe për një skenar të qëllimshëm.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK), ka bërë të ditur të hënën se nga gjashtë mostra të testuara të ujit, në dy prej tyre kanë gjetur koloni të dyshimta të baktereve.
Megjithatë, sipas drejtorit të IKSHPK-së, Naser Ramadani, testimet duhet të vazhdohen të bëhen në laborator pasi shkaku i saktë i këtij helmimi nuk është përcaktuar ende. Në anën tjetër, Prokuroria e Pejës, ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me shkaqet e këtij helmimi ndërsa Ministria e Shëndetësisë, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Deçanit që të mos konsumojnë ujin nga “Hidrodrini” derisa të përcaktohet shkaku i helmimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




