Kosova

Kurti takon Mitsotaqis: Greqia të njohë Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një takim me kreun grek Qiriakos Mitsotakis, të cilit i ka kërkuar haptazi njohjen e pavarësisë.

Vizita  në Athinë vjen mes një sërë raportesh se Greqia ndodhet nën presion për njohjen e Kosovës, Së fundmi ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, vizitoi Prishtinën duke inauguruar hapjen e një zyrë për çështjet ekonomike.

“Greqia dhe Kosova duhet të forcojnë marrëdhëniet e tyre të pavarura për shkak të historisë së gjatë të përbashkët, qëllimit të përbashkët të paqes dhe sigurisë në Ballkan dhe të ardhmes së gjatë të përbashkët”, tha kryeministri Kurti.

Kurti falenderoi homologun e tij për “mbështetjen dhe për qëndrimin konstruktiv ndaj vendit, që Greqia e ka dëshmuar sidomos në muajt e fundit, me mbështetjen e dhënë në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe angazhimin për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.”

Kreu i qeverisë i kërkoi Mitsotaqis që Greqia t’i bashkohet bllokut të vendeve që e kanë njohur Kosovën, duke hapur kështu rrugën edhe për vendet e tjera  të BE-së që nuk e njohin pavarësinë. Gjithashtu ai e informoi homologun e tij grek mbi arritjet e qeverisjes së re në Kosovë në këto 100 ditë të para, përfshirë këtu menaxhimin e mirë të pandemisë.

Sipas qeverisë së Kosovës, në këtë takim, kryeministri Mitsotaqis rikonfirmoi përkushtimin e Greqisë në promovimin dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në mes dy vendeve në kuadër të promovimit të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor. Dy liderët biseduan edhe për fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale ekonomike Kosovë-Greqi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë