“A e keni bërë testin antiCOVID (PCR) brenda 72 orëve nga dita e udhëtimit?” është pyetja e parë për COVID-19 në një formular specifik për shëndetin që duhet të plotësojë çdokush që hyn në territorin e SHBA-së.
Në formularin e printuar për çdo udhëtar sqarohen specifikisht pasojat që do të ketë çdo udhëtar në rast se nuk e ka bërë tamponin apo ka gënjyer se e ka bërë një të tillë.
Më pas, formulari të parashtron pyetjen me tre variante nëse 24 orët e fundit secili prej udhëtarëve ka pasur vështirësi në frymëmarrje, temperaturë, apo kollë.
A vjen ai apo ajo nga ndonjë vend i qarkuar si zonë e riskut të lartë, është një tjetër pyetje e formularit.

Me pak fjalë një formular tipik shëndeti për COVID-19.
Sa herë futesh në territorin e SHBA apo del prej tij udhëtarëve i matet temperatura. Maska është e detyrueshme gjatë gjithë udhëtimit, edhe gjatë qëndrimit në aeroport.
Masa këto që të japin një lloj sigurie për këdo që ka marrë përsipër të kalojë oqeanin me orare të zgjatura.
Gjithçka e përshtatur në kushtet e një situate krejt të re që ndryshoi botën, me masa që funksionojnë thuajse njësoj edhe nëpër aeroportet e vendeve të BE-së apo jashtë saj.

Ajo që ndryshon në gjithë këtë proces të ri rregullash duket se është Shqipëria.
Në vendin tone gjithkush mund të hyje pa testin e COVID-19. Rregull ky që është pranuar dhe bërë fakt i kryer.
Por a duhet t’i shmangemi ne edhe masave të reja që po ndjek një botë e tërë?
E fillojmë me mbajtjen e maskës. Që kur merr linjën direkte për Shqipëri (jo atë tranzit ku ka rregulla të tjera) udhëtarët lirohen pikësëpari nga mbajtja e maskës. Edhe pse stafi i linjës ajrore e thekson disa herë pakkush ia vë mendjen.
Për të kaluar tek hapi i dytë; ai i plotësimit të një formulari (që edhe Shqipëria e paska një), i lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë, më saktë Insituti i Shëndetit Publik ku stjuardesat të njoftojnë se është formular anti-COVID.

Por çfarë përmban formulari? Emër, adresën ku jeton, vendi nga je nisur, vendi tranzit dhe në fund një numër kontakti. Vetëm kaq. Asnjë pyetje specifike për COVID-19, edhe pse formulari të serviret si i tillë.
“Nëse dikush ka pasur kontakte dy javët e fundit me një person të infektuar, të kontaktojë pranë bordit të avionit”, është një thirrje që lëshohet verbalisht (jo në formular) nga stafi i linjës ajrore ku askush nuk e merr seriozisht.
Ashtu si shumica nuk e marrin seriozisht edhe mbajtjen e maskës sapo zbret në Aeroportin “Nënë Tereza” ku gjendesh përballë një grumbulli të madh njerëzish brenda ambienteve te aeroportit të gjithë pa maska ngjeshur me njeri tjetrin, një realitet paradoksi ku nuk e sheh askund në ambientet aeroportuale të vendeve të tjera.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




