Drejtësia

Gjykata Kushtetuese rrëzon nenin për përgjimin nga policia pa lejen e prokurorisë

Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, duke rrëzuar nenin për përgjimin e qytetarëve nga policia pa autorizimin e Prokurorisë dhe Gjykatës.

Pra, pa marrë lejen e këtyre dy institucioneve, policia nuk mund të kryejë përgjime ndaj qytetarëve, ndërsa Gjykata ka vlerësuar se ky nen është i papajtueshëm me Kushtetutën.

Në seancën e zhvilluar në datë 1 korrik, përfaqësuesit e Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese, argumentuan se ndryshimet u miratuan në funksion të parandalimit të veprave penale.

Por Kushtetuesja u shpreh qartë këtë të hënë, kur theksoi se “ligji vendos kufizim të së drejtës kushtetuese të jetës private, duke prekur njëherazi edhe parimin e sigurisë juridike në drejtim të saktësisë së ligjit dhe koherencës së rendit juridik”.

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese vendosi pranimin e kërkesave dhe rrëzimin e nenit që u ndryshua në ligjin për Policinë e Shtetit. Miratimi i ligjit u shoqërua me debate të forta dhe akuza nga opozita, ndërsa tashmë është shfuqizuar.

Sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, vendimi përfundimtar i arsyetuar do të shpallet brenda afateve të parashikuara nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë