Senatorja amerikane Joni Ernst ka paralajmëruar sot gjatë një vizite në Kosovë se rajoni i Ballkanit Perëndimor është i rrezikuar jashtëzakonisht shumë nga ndikimi dhe propaganda ruse.
Duke folur për Kosovën, senatorja Ernst tha se shpreson se shumë shpejt do të arrihet një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë që shtoi se mbështet faktin që Kosova të ketë ushtrinë e saj, ushtri kjo që mund të kontribuojë në paqe jo vetëm në rajon, por edhe në skenën ndërkombëtare.
Sipas saj, ndikimi rus është duke u rritur në Ballkanin Perëndimor, veçmas ne Serbi, shtet të cilit i bëri thirrje që të rreshtohet me shtetet perëndimore.
“Serbia duhet të shkëputet, dhe shpresoj që të kthehet nga Perëndimi dhe që të shohin mirëqenien dhe prosperitetin që vjen duke u bërë aleate më e mirë me NATO-n apo duke u afruar më shumë me kombet në Perëndim. Sigurisht se do t’i kishin punët shumë më mirë nëse do të largoheshin nga Rusia”, deklaroi Ernst.
Gjatë fundjavës Ernst qëndroi në Kosovë dhe tha se ka folur për propagandën ruse edhe në takimet që ka pasur me zyrtarët kosovarë.
Ernst është takuar me presidenten Vjosa Osmani, kryeparlamentarin Glauk Konjufca, kryeministrin, Albin Kurti si dhe me përfaqësues të tjerë politikë e ekonomikë.
Duke folur për dialogun me Serbinë, Ernst tha se një marrëveshje në mes të të dyja vendeve është e rëndësishme.
“Marrëveshja që do të jepte stabilitet rajonal dhe një gjë e tillë është shumë e rëndësishme. Nëse ne duam që edhe Kosova dhe Serbia të lëvizin përpara, të zhvillohen ekonomikisht, të punojnë me shtetet e tjera, ndoshta edhe t’i bashkohen NATO-s, duhet që ato bisedime të shkojnë mirë, duhet që dialogu të funksionojë. Dhe sigurisht, duke pasur Kosovën shtet simotër me Ajovën, si partneren tonë, ne duam ta shohim Kosovën që të ketë sukses dhe të mbijetojë dhe të ja dalë në të ardhmen”, tha Ernst.
E pyetur rreth faktit nëse Kosova mund të anëtarësohet në një të ardhme të afërt në Aleancën Veriatlantike të NATO-s, Ernst tha se kjo gjë duhet të ndodhë dhe se Kosova është në rrugë të mbarë.
“Kosova e ka mundësinë që të bëhet anëtare e NATO-s. Unë e di që kjo mund të jetë një synim më afatgjatë, një ditë prej ditësh, si dhe duhet punuar me shtetet që nuk e njohin Kosovën. Por, sërish do të duhen diskutime, dialog, bashkëpunim për të arritur tek ajo pikë, por unë mendoj se Kosova do të përshtatej shumë mirë me strukturën e NATO-s”, tha Ernst.
Ernst tha se është mbështetëse e fortë e faktit që Kosova të ketë ushtrinë e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




