Dosje

Katër “të penduarit” që zbuluan organizatën e trafikut të drogës. Roli i tyre dhe goditja e grupit

Katër bashkëpunëtorë të drejtësisë, të cilët dhanë informacione duke ndihmuar autoritetet shqiptare dhe ato italiane, kanë zbuluar trafikun ndërkombëtar të drogës, korrupsionit me detyrën dhe pastrimit të parave, ku si rezultat janë lëshuar 38 urdhër-arreste, nga këta 10 persona të arrestuar më parë.

Mes të arrestuarve të operacionit anti-drogë italo-shqiptar “Shpirti”, janë edhe prokurori i Vlorës, Maksim Sota dhe shefi i sektorit të trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Ilir Balla.

Të dy zyrtarët e lartë të drejtësisë dhe policisë shqiptare, akzuohen për shpërdorim detyre dhe për të dy është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”.

Burime nga grupi i hetimit, shprehen se Sota dhe Balla janë arrestuar pasi emrat e tyre kanë dalë nga dëshmia e disa “të penduarve” në Itali.

Hetimet nisën nga autoritetet italianët në vitin 2016. Janë 4 persona, të cilët kanë zbardhur të gjithë skemën që ka çuar në ekzekutimin e arrestimeve të operacionit të fundit.

Burime shprehen se dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë, kanë çuar në zbulimin e skemës së të gjithë “zinxhirit të trafikut të drogës, në lidhje me kultivimin, prodhimin, grumbullimin, magazinimin dhe dërgesën në brigjet e Puglias.

"Një ndihmë, ishin 4 bashkëpunëtorë që na ndihmuan, duke na dhënë detaje të hodhësishme. Katër bashkëpunëtorët nuk kanë qenë thjesht pjesë e grupeve kriminale, por kanë pasur një rol shumë të rëndësishëm në përbërjen e këtyre grupeve kriminale, - tregon prokurori shqiptar që drejtoi operacionin, Vladimir Mara. - Është dokumentuar i gjithë rrjeti, nga kultivimi, magazinimi deri në mbërritjen në brigjet italiane. Në kohë reale është ndjekur dhe një hetim dhe janë identifikuar dhe sekuestruar të gjitha pasuritë që janë vënë si rezultat i aktiviteteve kriminale apo të ardhura të tjera të fituara në mënyrë të paligjshme".

Mara pohon se gjatë hetimeve u evidentuan dhe zyrtarë të lartë të përfshirë në krimin e organizuar dhe përfitues apo mbështetës të krimit të organizuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë