Reforma e fiskalizimit ka hyrë në fazën e dytë të saj, ku përfshin rreth 34 mijë biznese që do të përditësojnë sistemet e tyre të deklarimit të transaksioneve pa para në dorë ndërmjet njëri-tjetrit.
Për Partinë Demokratike kjo reformë nuk është gjë tjetër veçse gjoba e radhës e Qeverisë “Rama” ndaj biznesit të vogël.
“Bizneset e vogla, kioskat në rrugë apo lokalet e vogla që sot mezi po gjallohen nga pandemia dhe ndihma e munguar ekonomike do përballen me shpenzime shtesë. Nuk kam parë në asnjë vend të Ballkanit Perëndimor, apo dhe Europës ku u zgjidh qesja e ndihmave të shtetit, që të nisë “normaliteti” përmes taksave, apo kostove të tilla”, thotë deputetja e zgjedhur e PD, Jorida Tabaku.
Tabaku akuzon se i gjithë procesi nisi si korruptiv dhe po vazhdon si korruptiv në kurriz të shqiptarëve.
“Fiskalizimi nisi si një tender korruptiv që u vodhi taksave të shqiptarëve 16 mln euro dhe po vazhdon si një proces që do t’i marrë bizneseve e më tej edhe shqiptarëve të ardhrua të tjera. Tashmë kushdo që do të shesë qoftë edhe një shishe uji do të duhet të kërkojë lejen e qeverisë përmes një programi që do t’i kushtojë deri në 2000 euro në vit çdo biznesi”, vijoi ajo.
Sipas Tabakut, Shqipëria është vendi i vetëm ku biznesi që mezi po merr veten nga kriza ekonomike të taksohet.
“Kjo është hipokrizia e Ramës, njeriu që hiqej si miku bizneseve, por që është armiku numër një i tyre”, mbyll reagimin e saj deputetja e zgjedhur e PD.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.