Drejtësia

Seancë te Trauma, lihen në burg dy të plagosurit e masakrës së Velipojës

Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurimit personal “arrest në burg” pa afat për Hasan Ferracakun dhe Elmilind Dylin, dy personat e plagosur në ngjarjen e Velipojës, të cilët u arrestuan si të përfshirë në masakrën që shkaktoi 4 të vrarë fundjavën e shkuar.

Seanca është mbajtur në Spitalin e Traumës në Tiranë për shkak të gjendjes së vështirë shëndetësore të të plagosurve. Prokuroria kërkoi për të dy të akuzuarit “arrest në burg”, ndërsa pala mbrojtëse kërkoi masë më të butë për 17-vjeçarin Elmilind Dyli, për shkak të moshës, por nuk u pranua nga gjykata. Në seancë dy të plagosurit nuk kanë dhënë deklarime.

Në mesnatën e të dielës që shkoi, 4 persona mbetën të vrarë nga shkëmbimi i zjarrit mes pronarëve të dy bizneseve në Velipojë, Ferracaku dhe Gocaj për shkak të ndarjes së hapësirave të çadrave dhe shezllonëve.

Paraprakisht mësohet se Kujtim Ferracaku, pronar i restorant “Fantazia” u konfliktua me pronarët e hotel “Gocaj” për shezlonët në plazh.

Si pasojë mbeti i vrarë Kujtim Ferracaku, punonjësi i shezllonëve dhe dy viktimat e tjera janë nga familja Gocaj. Nga plumbat ka mbetur i plagosur edhe vëllai i viktimës, Hasan Frracaku, bashkë me një tjetër person. Kujtim Ferracakut që mbeti i vrarë, tre vite më parë iu ekzekutua djali në Shkodër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë