Galeria Kombëtare e Arteve ka një projekt rikonstruksioni, që është bërë me dije javë më parë. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shprehet se bashkë me teatrin e ri është një pol kulturor i denjë.
“Me Teatrin e ri Kombëtar dhe rikonstruksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve, një pol bashkëkohor kulturor i denjë për artistët dhe publikun, nis të marrë jetë prej vitit 2021”, shkruan Margariti, që ka publikuar dhe foto të projektit të teatrit të ri.
Ky reagim i ministres së Kulturës, erdhi pas lajmit që Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) miratoi lejen për Teatrin e ri Kombëtar.
Vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit erdhi në një kohë kur Gjykata Kushtetuese nuk ka zbardhur ende vendimin në lidhje me padinë e kreut të shtetit Ilir Meta për prishjen e godinës së mëparshme.
Presidenti i Republikës ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin e kalimit të pronësisë së teatrit nga Ministria e Kulturës tek Bashkia Tiranë dhe shfuqizim të procedurës së kontratës për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.
Godina e Teatrit Kombëtar u shemb më 17 maj të vitit të kaluar pak orë para se të gdhinte, ndërsa aktivistët për mbrojtjen e tij ishin në ambientet e teatrit.
Sa i takon GKA, në mars të këtij viti ministrja Elva Margariti në një dalje të saj për mediat bëri me dije se Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura (ish- Galeria Kombëtare e Arteve) do të ketë një projekt rehabilitimi dhe punimet pritet, që të jetë në tre vite.
Para mediave, ministrja e Kulturës mes të tjerave tha se projekti në GKA nuk synon tjetërsim të godinës aktuale, por ruajtjen edhe zgjerimin e hapësirave ekzistuese, duke dyfishuar edhe vëllimin nga pjesa e pasme e godinës.
“Ky projekt përfshin jo vetëm restaurimin e godinës, që është një nga kërkesat kryesore për të gjithë projektin, por edhe shtimin e një sërë funksionesh, që duhet të kenë dhe muzetë tanë, që të flasin me gjuhën e kohës. Është një projekt që merret me pjesën ekzistuese edhe dyfishon vëllimin, duke shtuar në pjesën e pasme hapësira të reja dhe një fond të mirëfilltë në pjesën e nëntokës. Objektet qëndrojnë si dy objekte, dy vëllime të ngjashme, pranë njëri-tjetrit, por jo të ngjitur me njëri-tjetrin”, do të shprehej ministrja Margariti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.