Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola Von Cramon ka vizituar sot Prishtinën, në përgatitje për procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Ajo ka mbajtur një takimin të gjatë me kryeministrin Albin Kurti, duke i kërkuar qeverisë së Kosovës të mbajë një qëndrim konstruktiv.
Duke folur në një konferencë, Von Cramon ka bërë me dije se me Kurtin ka diskutuar në përgjithësi për dialogun Kosovë-Serbi, por edhe integrimin euro-atlantik të Kosovës.
“Po kemi biseduar për dialogun dhe tërë portofolin e dialogut. Në fillim të kësaj faze të dialogut, presim nga të dyja palët që të rrisin kërkesat e tyre. Unë shpresoj që në javët e muajt e ardhshëm do të shohim një afrim të qëndrimeve. Kjo është diçka që mund të bëhet vetëm përmes bisedimeve”, u shpreh Von Cramon.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian ka folur edhe për çështjen e liberalizimit të vizave, ku tha se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.
“Shpresoj që në një moment do të shohim qëndrime më pak të polarizuara. Kam shpresuar që gjatë udhëheqjes së presidencës së BE-së nga Gjermania do ta kemi në agjendë këtë çështje sepse të gjithë e dimë që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret. Në fund të fundit është çështje e Këshillit të Evropës, sepse ka ende disa anëtarë të këshillit që hezitojnë”, ka thënë ajo.
Von Cramon theksoi se është një gabim që po bëhet për rajonin. Ajo ka shtuar se Bashkimi Europian nuk i ka bërë detyrat e veta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




