Ekonomi

Industria, energjia dhe ndërtimi udhëhoqën rritjen ekonomike në fillim të këtij viti

Ekonomia shqiptare u rrit me 5,53% në tremujorin e parë të vitit krhasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas të dhënave të INSTAT, rritjen më të madhe ndër degët e ekonomisë për këtë tremujor e ka shënuar Aktiviteti i Industrisë,Energjisë dhe Ujit i cili është rritur me 23.81% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit më parë.

Ai ndiqet nga grupi i Aktiviteteve Financiare që ka shënuar rritje me 16.94% dhe nga ndërtimi i cili është rritur me 16.87% krahasimisht më të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Degët të cilat kanë kontribuar pozitivisht në rritje janë Industria, Energjia dhe Uji me + 2.56 pikë përqindje, Ndërtimi me +1.09 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me + 0,97 pikë përqindje, Aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,58 pikë përqindje.

Kontribut pozitiv gjithashtu kanë dhënë edhe degë të tjera duke përfshirë aktivitetet financiare, aktivitetet e shërbimit,informacionit dhe komunikacionit si dhe bujqësia, blegtoria e peshkimi.

Nga ana tjetër, negativisht kontribuan aktivitetet: Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me -0,20 pikë përqindje, Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor me – 0,14 pikë përqindje. Taksat Neto mbi produktet kontribuan negativisht me – 0,02 pikë përqindje.

Grupi i cili ka shënuar rënien më të ndjeshme është ai i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbimeve Administrative me 3.14% i ndjekur nga Aktivitetet e Transportit, Tregtisë dhe Akomodimit me një rënie prej 0.93%.

Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 1,49% në krahasim me tremujorin e mëparshëm.

Rritje ka ndjerë gjithashtu edhe konsumi final i qeverisë me 5,16 %.

Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 0,66 %, ndërsa Importet u rritën me 7,55%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë