Portofol

Kriptovalutat – Si po i shfryn ligji aksionet e bujshme të policisë

Aksione të bujshme të Policisë së Shtetit ndër vite, që më pas janë shfryrë dhe kanë rezultuar flluskë sapuni ka plot, por vështirë se kthimi pas në kohë do të na ndihmojë për të gjetur raste të ngjashme me operacionet e muajve të fundit kundër kriptovalutave.

Arsyeja është e thjeshtë.

“Nëse një aktivitet ushtrohet pa pasur bazë ligjore, por nga ana tjetër ligjet në fuqi nuk e ndalon, nuk e bën atë të paligjshëm. Pra, është si të thuash gri. Nuk është i rregulluar me ligj, por as është i ndaluar me ligj”, thonë burime të Gazetës "Si" nga Policia e Shtetit.

LEXO EDHE:
- Kush do të tregtojë kriptomonedhat në Shqipëri duhet të marrë leje, dy llojet e tyre
- Vrasja që zbuloi pajisjet Bitcoin: A ishin të ligjshme kriptomonedhat te “5 Maji”?
- “Fabrikë” kriptovalutash në Fier, skema dhe si funksiononte grupi

Policia ka shpërndarë disa njoftime ku herë rastësisht dhe herë me organizim njofton se ka “goditur grupe që ushtrojnë aktivitetin e paligjshëm në fushën e kriptomonedhave”. Rasti i parë i bujshëm ishte bllokimi i pajisjeve për prodhimin e BitCoin të zbuluara gjatë hetimeve për vrasjen aksidentale të të riut Mehmet Qama në ngjarjen e rëndë të ndodhur më 10 maj në zonën e “5 Majit” në Tiranë.

Veç akuzës së vrasjes dhe në cilësinë e dëshmitarëve në këtë vrasje, një grup të rinjsh u hetuan edhe për aktivitetin e tyre në fushën e kriptomonedhave. Për këtë u ndalua edhe një punonjës i OSHEE-së se nuk kishte sinjalizuar këtë aktivitet, që kërkon konsum të madh energjie elektrike.

Policia njoftoi se të rinjtë e arrestuar u akuzuan për “mashtrim kompjuterik”, ndërsa punonjësi i OSHEE për “shpërdorim detyre”. Por, përveç “bujës” dhe përshtypjes së krijuar në publik se Policia e Shtetit po godet paligjshmërinë, ky operacion nuk prodhoi asgjë më shumë. Gazeta Si mëson se si akuzat për mashtrim kompjuterik ndaj të rinjve, ashtu edhe ajo për shpërdorim detyre ndaj punonjësit të OSHEE-së, janë drejt shuarjes.

“Nuk ka asnjë parashikim në Kodin Penal që të cilësojë aktivitetin në fushën e kriptovalutave si mashtrim kompjuterik. Gjithashtu, lidhja me rrjetin e OSHEE për energjinë elektrike rezultoi e rregullt dhe që paguhej çdo muaj”, sqarojnë për Gazetën Si burimet.

Aksioni i dytë i bujshëm, që me gjasë do të ketë të njëjtin rezultat si aksioni i mësipërm është ai i Fierit, ky policia doli me një njoftim se kishte goditur, sërish me akuzën e mashtrimit kompjuterik një fabrikë prodhimi kriptomonedhash në qytetin e Fierit.

Por, a mund të cilësohet mashtrim kompjuterik aktiviteti në prodhimin e kriptomonedhave?

“Sipas Kodit Penal aktual jo. Neni 143/b i Kodit thotë: Futja, ndryshimi, fshirja ose heqja e të dhënave kompjuterike, apo ndërhyrja në funksionimin e një sistemi kompjuterik, me qëllim për t’i siguruar vetes apo të tretëve, me mashtrim, një përfitim ekonomik të padrejtë apo për t’i shkaktuar një të treti pakësimin e pasurisë, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në gjashtë vjet. Në rastin e kriptomonedhave nuk plotësohet kushti i dëmit të një personi të tretë”, sqarojnë burimet e Gazetës Si.

Në përpjekje për të plotësuar këtë vakuum ligjor, Kuvendi miratoi me procedurë të përshpejtuar më datë 27 maj ndryshimet në ligjin e 2009-s për lejet dhe licencat duke shtuar në këtë ligji kapitullin “Teknologji Financiare”. Ligji parashikon dy lloje licence për ushtrimin e aktivitetit te kriptomonedhat; licenca e agjentit, që lëshohet vetëm nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Licenca e Bursës, që lëshohet nga AMF dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji ka lindur një debat i ri në radhët e Policisë së Shtetit dhe prokurorisë, që ka të bëjë me akuzën me të cilën duhet të përballen personat e arrestuar për ushtrimin e aktivitetit në fushën e kriptomonedhave.

“Është e qartë se akuza e mashtrimit kompjuterik nuk mund të qëndrojë më. Ka një debat për t’i akuzuar sipas nenit 170 fraksion Ç të Kodit Penal”, thonë burimet e Gazetës "Si".

Çfarë thuhet në këtë nen? “Ushtrimi i një ose disa veprimtarive financiare të ndryshme nga veprimtaria bankare, nga persona që nuk janë të licencuar për këtë qëllim, sipas legjislacionit bankar dhe/ose financiar në fuqi, dënohet me gjobë, ose burgim gjer në tre vjet”, përcakton Kodi Penal.

Sërish, burimet e Gazetasi.al, thonë se edhe ky nen nuk i mbulon të gjitha rastet hipotetike. “Sepse mungojnë aktet që ta përcaktojnë qartë dhe në formë të shteruar nëse aktiviteti në fushën e kriptovalutave është aktivitet financiar, apo jo”, thonë burimet.

Burimet thonë se ky nuk është një problem shqiptar. Zhvillimi i këtij sektori në forma dhe përmasa të panjohura më parë dhe i nxitur shumë edhe nga pandemia ka zënë edhe vende të tjera të papërgatitura. Një pjesë i kanë rregulluar me ligj, të tjera janë duke punuar me kuadrin ligjor dhe një pjesë i kanë shpallur të paligjshme dhe i ndalojnë kriptovalutat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë