Ngjarje

Masakra në Velipojë, dëshmia e një prej të plagosurve: Shkuam për të folur, por situata u acarua

Në masakrën e Velipojës, ku katër persona mbetën të vrarë për shkak të konfliktit për shezlonët, u pagos edhe vëllai i njërit prej viktimave.

Hasan Ferracaku, vëllai i Kujtim Ferracakut, tregon si nisi përplasja mes tyre dhe familjes Gocaj. Sipas dëshmisë së dhënë para autoriteteve hetimore, ai mësohet se jetë shprehur se kishin vajtur tek hoteli i familjes Gocaj për të biseduar, pasi më herët kishin pasur debat për shezlonget.

“Fillimisht kemi zhvilluar një debat tek shezlongët në plazh, sepse ata i kanë vendosur në vendin, ku këtë vit e kemi pasur të drejtën ne pas aplikimit që kemi bërë, - ka thënë ai. - Pas atij debati, kemi shkuar në darkë tek hoteli ‘Gocaj’ për t’u sqaruar me familjen Gocaj. Jemi ulur në tavolinë për të biseduar. Ne i kemi thënë që të gjejmë një marrëveshje, pasi ata i kishin vendosur më përpara shezlongët në një kohë që këtë vit kjo e drejtë ishte e jona në bazë të aplikimeve”.

54-vjeçari, i cili arriti t’I mbijetojë plumbave gjatë përplasjes me armë, pohon se situata u acarua nga mos dakordësimi i palës tjetër. Ai shton se situata doli jashtë kontrollit, duke akuzuar familjen Gocaj se ka nisur të qëllojë e para me armë.

“Ata nuk kanë pranuar, duke thënë se duhet të presin derisa të përcaktohet edhe vendi i tyre. Gjatë bisedës ka nisur debati dhe gjërat janë acaruar, duke bërë që të përdoren edhe armët. Ne kemi shkuar për të folur dhe për të gjetur një zgjidhje për shezlongët, por situata u acarua dhe pas krismave të armëve nuk e di çfarë ka ndodhur më. Di që ata kanë qëlluar ndaj vëllait dhe ne të tjerëve dhe në atë moment vëllai është vetëmbrojtur. Unë nuk kam qëlluar dhe kemi shkuar vetëm për të biseduar, sepse janë njerëz që ne i kemi njohur dhe kemi pasur marrëdhënie të mira, por situata doli nga kontrolli…”.

Ngjarja e rëndë me katër viktima dhe dy të plagosur ndodhi pak pas mesnatës të së dielës. Anëtarë të familjes Ferracaku shkuan në hotelin e familjes Gocaj, ku fillimisht patën debat verbal, më pas situata u përshkallëzua në përdorimin e armëve.

Mes viktimave, janë dy vëllezërit Gocaj, Kujtim Ferracaku (babai i Arjan Ferracakut, i vrarë në 2018) dhe kamerieri 20-vjeçar që kishte ditën e parë të punës te hoteli i Gocajve.

Ndërsa mbetën të plagosur, Hasan Ferracaku (vëllai i Kujtim Herracakut) dhe një adoleshent, të cilët sipas policisë dyshohet se janë autorë të konfliktit me armë.

Po ashtu, policia ka shpallur në kërkim dhe tre djemtë e Hasan Ferracakut, Abedin, Shyqyri dhe Besar Ferracaku, që njihen edhe me mbiemrin Verracaku, pasi dyshohet se kanë qenë bashkëpunëtorë në sherrin që përfundoi me katër të vrarë.

Dy familjet Ferracaku dhe Gocaj, kanë hotele në Velipojë me distancë 50 metra larg njëri tjetrit.

Në vendin e ngjarjes, policia sekuestroi 2 armë kallashnikov, një pistoletë tip Glock dhe një TT.  Ato janë dërguar për ekzaminim për të parë se kujt i përkisnin.

Shkak për nisjen e këtij konflikti, është marrja e lejes për ndarjen e parcelave të bregdetit për ta shfrytëzuar gjatë sezonit turistik nga ana e dy familjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë