Kosova

100 ditë në detyrë. Çfarë kryeministri ka qënë Albin Kurti

Kjo është hera e dytë që Albin Kurti zgjidhet kryeministër i Kosovës, por hera e parë që qeveria  e udhëhequr nga ai ka mundur të qedrojë 100 ditë në pushtet. Vitin e kalur qeveria Kurti I  u rrëzua pas vetëm 51 ditësh në detyrë.

Por të mërkurën e javës së ardhshme, ai do të mbushë 100 ditë në krye të qeverisë së Kosovës. Pas konstituimit të Kuvendit dhe mes diskutimeve të shumta, kabineti qeveritar i kryeministrit Kurti mori besimin e të zgjedhurve të popullit, më 22 mars të këtij viti.

Një ditë më pas, ekzekutivi në krye me kryeministrin Kurti mbajti gjithsej 17 mbledhje qeveritare dhe miratoi programin qeverisës dhe agjendën legjislative.

Vëmendje dhe prioritet të veçantë në këta tre muaj iu kushtua dialogut Kosovë-Serbi dhe diplomacisë kosovare. Kryeministri Kurti u takua për herë të parë me presidentin serb Aleksandar Vuçic më 15 qershor, pasi kishte refuzuar takimin me të më 11 maj. Gjatë këtyre ditëve, i pari i qeverisë, ishte aktiv edhe në vizitat zyrtare jashtë vendit.

Për dallim prej të kaluarës, Kurti e bëri vizitën e parë në Bruksel gjatë fundit të muajit prill, dhe jo në Shqipëri dhe pak ditë më vonë udhëtoi sërish drejt kryeqendrës evropiane për një darkë joformale me liderët rajonalë. Ai i takoi sërsh homologët nga Ballkani gjatë samitit të Tiranës dhe Vjenës në muajin qershor. Teksa së fundmi u prit me ceremoni shtetërore nga presidenti i Francës, Emanuel Macron.

Këto 100 ditë, kreu i ekzekutivit nuk i shpëtoi “traditës” se shkarkimeve dhe emërimeve në bordet e ndërmarrjeve publike. Ndërkohë ai hartoi një draft të komentuar shumë nga opnioni publik për çështjen e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme dhe fillimin e hartimit të procesit të vetingut.

Megjithatë, puna 100 ditore e Qeverisë Kurti po vlerësohet nga ekspertë në Kosovë ngadalshme dhe pa vendime të mëdha nga shoqëria civile.

Drejtoresha e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani thotë se krahas pritjeve të qytetarëve dhe premtimeve në fushatë të Lëvizjes Vetëvendosje, premtimet nuk janë përmbushur. Sipas saj, shqetësuese sipas saj është mos publikimi i planit vjetor të punës.

“Mund të them se ka qenë një 100 ditësh më i ngadaltë nga ajo që është pritur nga kjo qeveri. Nuk ka pasur ndonjë vendim, ta quaj ashtu më madhor që prek interesin qytetar për këto 100 ditë, në krahasim me pritjet shumë të mëdha të qytetarëve, por edhe premtimeve të kësaj qeverie. Për dallim nga qeveria Kurti I që kishte vendime më të mëdha se kjo qeveri, tash Kurti II ka më pak. Ajo që mund të vërej është mostransparenca, pavarësisht se qeveria ka emëruar dy zëdhënës, kemi dikastere të ministrive që janë po thuajse totalisht të mbyllura. Çka është për neve më shqetësuese është mos publikimi i planit vjetor të punës. Do thotë Qeveria Kurti ka prezantuar programin 4-vjeçar, por jo planin e punës”, thotë ajo.

Ndërsa, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) i vlerëson hibride 100 ditët e qeverisjes Kurti.

“Kemi parë një performancë hibride edhe nga kjo qeveri. Ka pasur përparim në disa fusha dhe në disa fusha edhe ngecje. Vlen të përmendet që kemi parë një agjendë ambicioze legjislative me mbi 190 projektligje të parashikuara. Disa janë ndërmarrë në këtë periudhë, disa jo. Një iniciativë më mirë dhe pozitive është parë në fushën e sundimit të ligjit dhe iniciativa për veting dhe ligji për konfiskimin e pasurisë. Edhe pse në këtë drejtim ka pasur një tërheqje apo një stepje prapa. Por procesi po shkon mirë. Kemi parë edhe në lidhje me pandeminë një rezultat miks, ka pasur një lojë ping-pongu mes ministrit të kaluar dhe ministrit Vitia për keqmenaxhimin e pandemisë dhe sigurimin e vaksinave. Pastaj gradualisht kemi pasur një përmirësim të gjendjes edhe në menaxhimin e Covdi 19”, thotë Fetahu.

Lidhur me politikën e jashtme dhe dialogun me Serbinë, Fetahu thotë se ka pasur hapa pozitiv në përgatitjen dhe paraqitjen në takimin e parë të kryeministrit Kurti me presidentin Vuçic.

“Në përgjithësi edhe ky 100 ditësh është dominuar nga disa ndikime të politikës së jashtme që kanë dominuar edhe politikën e brendshme, siç është dialogu Kosovë-Serbi. Ndonëse në fillim u trajtua si një prioritet i 5-6, por gradualisht është intensifikuar edhe prezenca e qeverisë në drejtim të dialogut dhe pjesëmarrja në takime të ndryshme. Kjo është një hap pozitiv, pavarësisht deklarimeve në fillim sepse kemi parë një paraqitje më të mirë në dialog dhe tentativa për të përafruar spektrin politik”, thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë