Qeveria e Kosovës dhe e Serbisë ende nuk kanë qëndrim për studimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për liqenin e Ujmanit dhe përdorimin e ujit të lumit Ibër. Kjo nuk i ka ndaluar ekspertët nga Kosova dhe Serbia, të komentojnë lidhur me propozimin në fjalë.
Shtetet e Bashkuara u kanë dorëzuar të mërkurën, Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit. Ky studim shënon përmbushjen e një prej angazhimeve të Marrëveshjes së Uashingtonit, të arritur më 4 shtator 2020.
Raporti propozon formimin e një komisioni apo komiteti për lumin Ibër, që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore. Ujmani është një liqen artificial, i ndërtuar në shtratin e lumit Ibër, në veri të Kosovës.
Ky studim po konsiderohet i pranueshëm dhe i realizueshëm nga Halim Gjergjizi, profesor i menaxhimit strategjik në Kolegjin privat “Dardania”.
E rëndësishme sipas tij, është që studimi nuk i referohet pronës së liqenit, por vetëm prodhimit dhe menaxhimit të ujërave dhe energjisë.
Ndërsa ndryshe mendon Avdi Gjonbalaj, ekspert i ujërave, që në atë kohë kishte mbikëqyrur punimet për ndërtimin e liqenit të Ujmanit. Sipas tij, është i papranueshëm propozimi që parasheh që Kosova dhe Serbia të marrin në konsideratë aranzhimet teknike nga traktati ndërmjet SHBA-së dhe Kanadasë, për lumin Kolumbia.
Profesori Halim Gjergjizi, i cili ka qenë pjesë e projektit në vitet e 70-ta, thotë se rekomandimet e SHBA-se janë të duhura dhe në interes të Kosovës.
“Raporti ka të bëjë më çështjen e menaxhimit të objekteve dhe ujit në përgjithësi. Si rekomandim është në rregull, korrekt dhe besoj se është në interes të Kosovës një trajtim i duhur në aspektin e menaxhimit dhe shfrytëzimit të ujërave në mënyrë optimale, ashtu siç është ndërtuar edhe vetë objekti. Sa i përket çështjes së pronave, kjo është e zgjidhur para ndërtimit dhe nuk ka vend për diskutim. Banka Botërore nuk do të investonte pa u zgjidhur çështja e pronave”, ka thënë Gjergjizi.
Liqeni i Ujmanit, ka sipërfaqe prej 11,9 kilometrash katrorë, (nga të cilat 9.2 kilometra katrorë janë në territorin e Kosovës dhe 2.7 kilometra në territorin e Serbisë) dhe 370 milionë kub ujë. Ky liqen është më i madhi në Kosovë dhe shtrihet në veri-perëndim të vendit, konkretisht në Komunën e Zubin Potokut, komunë kjo e banuar me shumicë serbe.
Liqeni u ndërtua në vitin 1972, me një kredi prej 45 milionë dollarësh amerikanë, që ishte marrë nga Banka Botërore, marrëveshje kjo e ratifikuar atëherë nga Kuvendi i Krahinor i Kosovës dhe Kuvendi Federativ i Jugosllavisë.
Serbia insiston se ka trashëguar borxhin e ish Jugosllavisë, prandaj pretendon se ka të drejtë në pronësi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




