Ekonomi

Dibra dhe Kukësi u varfëruan më shumë në 2019, PBB-ja në rënie me mbi 2%

Dibra dhe Kukësi, Qarqet e veriut të cilat kanë normat më të larta të varfërisë në Shqipëri, duket se po varfërohen edhe më tej.

Sipas të dhënave nga INSTAT,  Prodhimi i Brendshëm Bruto(PBB) në vitin 2019 shënoi rënie në Dibër në terma realë prej 2,89%, ndërsa ekonomia e Kukësit shënoi rënie me 2,80%.

Dibra dhe Kukësi ndiqen pas nga Qarku i Beratit, ekonomia e të cilit ra me 2,06% në 2019, krahasuar me vitin 2018.

PBB me çmime korente në rajonin Veri ishte 389,6 miliardë Lekë ose 23,03% ndaj totalit të vendit.

Ndërsa PBB në terma reale krahasuar me vitin 2018 është rritur me 2,16%.

PBB me çmime korente në rajonin Qendër, ishte 835,1 miliardë Lekë ose 49,36% ndaj totalit të PBB-së. Krahasuar me vitin 2018, për rajonin Qendër, PBB në terma reale shënoi një rritje prej 2,28%.

PBB me çmime korente në rajonin Jug ishte 467,1 miliardë Lekë ose 27,61% ndaj totalit të vendit. Krahasuar me vitin 2018, në rajonin Jug, PBB në terma reale shënoi një rritje me 1,78%.

Rritjen reale më të lartë e shënoi Qarku Durrës me një rritje në terma realë prej 4,37%, i ndjekur nga Gjirokastra me një rritje reale prej 3,99% dhe Fieri me një rritje në terma realë prej 3,26% të PBB-së për vitin 2019, krahasuar me vitin 2018.

PBB për frymë, më e larta në Tiranë, më ulëta në Kukës

Niveli më i lartë i PBB-së për frymë sipas rajoneve statistikore në nivel 3 (Qark), në vitin 2019, ishte në Qarkun Tiranë, me 802 mijë Lekë dhe shënoi një rritje në terma nominale prej 2,42%, krahasuar me vitin 2018. PBB për frymë e këtij qarku ishte 35,38% mbi mesataren e vendit.

Më pas renditet Qarku Fier, me 641 mijë Lekë, duke shënuar një rritje në terma nominale prej 6,49 % ndaj vitit 2019. PBB për frymë e këtij qarku ishte 8,11% mbi mesataren e vendit.

Niveli më i ulët i PBB-së për frymë sipas rajoneve statistikore në nivel 3 (Qark) në vitin 2019, u vlerësua në Qarkun Kukës me rreth 359 mijë Lekë duke shënuar një rënie në terma nominale me 0,94%, krahasuar me vitin 2018. PBB për frymë e këtij qarku ishte 39,36% nën mesataren e vendit.

Kontributin më të madh në rritjen ekonomike për vitin 2019, e ka dhënë Qarku Tiranë me +1,06 pikë përqindje, pasuar nga Qarku Durrës me +0,43 pikë përqindje dhe Qarku Fier me +0,36 pikë përqindje.

Kontributin më të ulët në rritjen ekonomike e ka dhënë Qarku Dibër me -0,09 pikë përqindje, i pasuar nga Qarku Berat me një kontribut prej -0,07 pikë përqindje dhe Qarku Kukës me një kontribut prej -0,05 pikë përqindje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë