Nga Gisela Troplini - Shqipëria, një vend në zhvillim, renditur si vendi me më pak tokë bujqësore për frymë në Europë, ka 14% ose 100 mijë hektarë të të gjithë sipërfaqes bujqësore në Shqipëri, të papunuar, të pashfrytëzuar, djerrë.
Nga të gjitha problematikat e fermerëve dhe pengesat e dala nga politikat bujqësore të ndjekura, shfrytëzimi i tokës djerrë duket të jetë një rrugë e gjatë dhe me gropa.
Eksperti i bujqësisë dhe themeluesi i Agro Consulting, z.Ervin Resuli thotë për Gazetën “Si” se për sa kohë që qeveritë në vendin tonë nuk e ka primare bujqësinë, është sfidë e pamundur për fermerët shqiptarë që t’i shfrytëzojnë hapësirat bujqësore në masë dhe kjo situatë i dërgon ata të punojnë në të njëjtin sektor, por në vendet e tjera.
Sipas Resulit, punimin e 100 mijë ha tokë në vendin tonë, e pendon gjithashtu bashkëpunimi në bujqësi, ndërsa shitja e tokës apo dhënia me qira bëhet mision i pamundur për shkak të mungesës së certifikatës së pronësisë.
Ai tregon se bujqësia dhe blegtoria përveç se janë punë të vështira vetë, vështirësohen akoma më shumë nga faktori shtet. Duke rënditur të tjera probleme si ndarja e tokës në ngastra të vogla, sistemet kulluese dhe vaditëse ulin interesin për punimin e saj dhe vetë familjet nuk e shohin si shpëtim për ekonominë e tyre.
“Nëse do të punosh tokën sot çmimi i naftës është 160lek për litër. Skema e mbështetjes funksionoi për një pjesë të vogël të fermerëve, sipas Ministrisë së Bujqësisë vetëm rreth 20 mijë fermerë nga 66 mijë që janë në total të regjistruar me Nipt fermeri”, u shpreh z.Resuli.
Eksperti i bujqësisë sugjeron disa ndryshime që duhen bërë që nga institucionet më të larta.
“Ndryshimi kryesor duhet bërë nga Ministria e Bujqësisë, të kthejë sytë nga fermerët dhe të mos jetë vetëm në rolin e vëzhguesit. Duhet të nisë certifikimi i tokës bujqësore, të ulen kostot e prodhimit dhe të shtohen mbësh0tetjet me subvencione si në të gjithë rajonin dhe Europën. Këto janë disa pika kryesore“, thotë ai.
Z.Resuli sugjeron nxitjen e fermerëve për bashkimin e ngastrave për t’i punuar ato, pasi mbështetur në të dhënat e Instat për vitin 2019, rreth 350 mijë ferma të vogla nuk e kalojnë sipërfaqen prej 1.2 hektarësh. Gjithashtu, sipas tij duhet të rishikohet ligji i SHBB-së, për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësorë dhe plotësimin me akte nënligjore, përfshirë edhe subvencionet.
“Ne sot në Shqipëri kemi njerëz që bëjnë bujqësinë në Greqi, pse të mos e bëjnë në vendin e tyre?! Tregu është kërkesë-ofertë, nëse nuk të leverdis, nuk e punon dhe tek ne kosto është shumë e lartë”, u shpreh ai.
Eksperti i bujqësisë, Ervin Resuli tha së dëmi në tokë dhe në ekonomi zgjerohet akoma më shumë me efektin domino të largimit: “Mbi 50% e popullatës jeton në fshat, fshati po braktiset, migrimi dhe emigrimi, ikin më mirë të punojnë në Greqi. Për këtë fakt, tokat do të vazhdojnë të mbeten akoma më djerrë.”
Kur një sipërfaqe toke bujqësore në vendin tonë nuk kultivohet, qeveria merr në zotim dhënien me qira të këtyre tokave nëpërmjet një ankandi. Përgjegjësia e evidentimit të këtyre tokave është mbi Këshillin Komunal apo Bashkiak, të cilët marrin të dhënat për tokat djerrë, që duhet të jenë të regjistruara dhe ia paraqesin operatorëve të interesuar.
Lidhur me këtë fenonem, shteti ka në pronësi 130 mijë ha tokë bujqësore, por jo e gjitha e kultivueshme pasi një pjesë është e zënë dhe nga ndërtimet pa leje.
Toka i jepet me qira palës së tretë për kultivim bimësh më afat 1-vjeçar qiraje dhe marrëdhënie deri në 5 vite. 80% e fitimit shkon për poseduesin dhe 20% për shpenzimet administrative.
Nga të dhënat e vitit 2019, Instituti i Statistikave e llogarit bujqësinë si 18.5% të PBB-së totale të vendit. Peshë e madhe për 700 mijë ha tokë bujqësore, ku 100 mijë janë të pakultivuara, 130 mijë “të marra” nga shteti dhe një pjesë e madhe e pa regjistruar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.