Ekonomi

Banka Botërore ul parashikimin për rritjen ekonomike 2021-2022

Banka Botërore ka rishikuar me ulje pritshmëritë për rritjen ekonomike të Shqipërisë si për këtë vit ashtu edhe për vitin 2022.

Në raportin e saj të fundit të qershorit të perspektivës ekonomike globale, BB thekson se ekonomia vendase pritet të rritet me 4.4%, me ulje prej 0.7 pikë përqindje nga vlerësimi i muajit janar.

Për vitin 2020, vlerësimi është rishikuar gjithashtu me një ulje me 0.7 pikë përqindje, duke e zbritur në 3.7%. Edhe për vitin 2023 është e njëjta pritshmëri, në 3.7%.

Rënia ekonomike në vitin 2020 vlerësohet në -3.3%, shumë më e ulët sesa pritshmëria fillestare e bankës prej -7.5%. Kjo rënie më e ulët se parashikimi në 2020-n është dhe një nga arsyet e rishikimit të vlerësimit në 2021 dhe 2022.

Nga gjithë vendet e Europës Qendrore, pandeminë e kanë kaluar më lehtë Turqia, që pa një rritje prej 1.8%, Serbia, me një tkurrje minimale prej -1%, Polonia (-2.7%) dhe më pas Shqipëria (-3.3%).

Mali i Zi dhe Kroacia ishin dy vendet që patën pasojat më të mëdha për faktin se janë vende që varen shumë nga turizmi i cili ishte një nga sektorët më të prekur, ku tkurrja ishte përkatësisht me -15.2% dhe -8%.

Banka Botërore vlerëson në raport se ekonomitë me varësi të lartë nga turizmi, veçanërisht Shqipëria dhe Mali i Zi do të vazhdojnë të dëmtohen nga kufizimet e udhëtimeve ndërkombëtare.

Ndërkohë, në afatin e mesëm, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të nxiten nga përshpejtimi i reformave strukturore në përgatitjen për anëtarësimin në BE, nëse negociatat nuk do të vijojnë të shtyhen më tej.

Rritja globale vlerësohet të arrijë 5.6% në 2021 – ritmi i saj më i fortë i pas recesionit në 80 vjet – pjesërisht i mbështetur nga aksesi i qëndrueshëm por shumë i pabarabartë i vaksinave.

Rritja është përqendruar në disa ekonomi të mëdha, me pjesën më të madhe të tregjeve në zhvillim, ndërsa ekonomitë në zhvillim mbeten prapa: ndërsa rreth 90% e ekonomive të përparuara pritet të arrijnë nivelet e tyre të para të pandemisë deri në 2022, vetëm rreth një e treta e vendeve në zhvillim pritet ta bëjnë këtë.

Perspektiva globale mbetet shumë e pasigurt, teksa ecuria e pandemisë ka ende rreziqe të mëdha dhe ngarkesat e mëdha të borxhit mund të rrisin stresin financiar.

Kontrolli i pandemisë në nivelin global do të kërkojë shpërndarje më të drejtë të vaksinave, veçanërisht për vendet me të ardhura të ulëta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë