Njerez

Historia e Sidorelës- Lufta e vështirë me paragjykimet e grave të divorcuara

Tre vite pas divorcit të vështirë, Sidorela, një nënë e re, shpreson se më në fund gjërat janë futur në rrugë të mbarë për të dhe vogëlushen e saj.

E diplomuar për drejtësi, por pa mundur të ushtrojë profesionin e saj, 27 vjeçarja, e rriti vajzën e saj “rrugëve”.

 “U divorcova kur vajza ishte vetëm 7 muajshe, ndërsa unë 24 vjeçe. Ku të shkoja? Së bashku me të voglën në krahë kam kaluar sfida të vështira”, - na thotë Sidorela.

Siç ndodh rëndom për pjesën me të madhe të grave të divorcuara, edhe Sidorela mbeti pa një çati mbi kokë.

Sidorela

"Nuk kisha një derë ku të trokisja, familja ime nuk jeton në Tiranë, ndaj mu duk se nuk kisha asnjë zgjidhje", - rrëfen e reja.

Ajo pohon se në këtë situatë ku gjendej e pati tundimin të kthehej tek ish bashkëshorti.

"Mendova më mirë duroj dhunën e atij se sa ta lë vajzën në këtë gjendje. Por rezistova", - pohon ajo.

Fillimisht ajo është strehuar pranë qendrës së viktimave të dhunës në familje që ndodhet në Kamëz, pasi kishte urdhër mbrojtje nga bashkëshorti. Por atje ka qëndruar vetëm pak ditë. Më pas ka ndërruar herë pas here shtëpinë me qira, duke e ndarë herë me të njohur e herë me të tjera vajza që kanë ngelur në të njëjtën grackë si ajo.

E vendosur t'ia dalë e vetme jetës së saj të re, Sidorela aplikoi fillimisht për bonus qiraje pranë njësisë administrative Farkë, ku edhe ishte banore.

Por vetëm pak para ditësh ajo mundi të festojë ditëlindjen e tretë të vogëlushes në shtëpinë e saj.

"Më në fund kam mundur të përfitoj bonusin e qirasë dhe kam gjetur një shtëpi. Jam e kënaqur, dhe më mbush me shpresë se gjërat ndodhta do të fillojnë të rregullohen", - thotë Sidorela.

Sfida e paragjykimeve

Përveç vështirësive financiare, sfida më e madhe për Sidorelën përgjatë këtij udhëtimi tre vjeçar si një nënë e vetme dhe grua e divorcuar kanë qenë paragjykimet e shumta. 

E diplomuar për drejtësi, por pa mundur të ushtrojë profesionin e saj, 27 vjeçarja nuk e fsheh zhgënjimin, kur kujton se si i janë përplasur në fytyrë shumë dyer.

"Nuk e kisha menduar kurrë se mund të gjendesha në një situatë të tillë. Sapo u thoja se jam e divorcuar dhe me një fëmijë, shumë pronarë shtëpish nuk pranonin të lidhnin kontratë qiradhënie me mua. Edhe pse u thoja se lekët janë të garantuar, që do t'i kalojë bashkia sërish ata refuzonin. Është absurde ta mendosh një gjë të tillë, dhe jo më të të ndodhë. Ndihesha e pafuqishme përballë tyre", - shpjegon Sidorela.

Vështrimet e dyshimta ajo i ka ndjerë mbi supe edhe sa herë ka trokitur për të gjetur një punë. 

 “Sa herë dëgjoja një fjalë të pakëndshme mendoja për vajzën time. Për të jam e gatshme të pranoj çdo lloj sfide, dhe nuik mund të dorëzohem”, - rrëfen Sidorela, e cila pranon se orari i zgjatur dhe largësia shumë e madhe nga e vogla kanë qenë kufizime për të.

Misioni i vështirë për të gjetur një shtëpi

Paragjykimet dhe dyshimet ia kanë bërë më të vështirë gjetjen e një shtëpie. "Pothuajse askush nuk ka besim që unë do ta paguaj qiranë, ndaj refuzojnë. Thonë ti je e vetme, pa burrë, ke një fëmijë...", rrëfen ajo. “Pas tre herë aplikim dhe mospërfitim të bonusit të qerasë së banesës, e bëra edhe në fillim të këtij viti sërisht aplikimin duke paraqitur që në fazën e parë kontratën me pronarin social dhe numrin e tij të llogarisë bankare”

Për të siguruar shtëpinë që ka me qira, Sidorela është detyruar t’i paguajë dy muaj paradhënie pronarit, me shpresën që paratë e bonusit të lëvrohen sa më shpejt nga bashkia.

Por edhe këtu gjërat ecin me në ritëm krejt të ngadaltë, pasi merret vendimi nga komisioni i strehimit në Bashkinë e Tiranës, pritet që të mblidhet edhe Këshilli Bashkiak ( pa një rregull të caktuar kohor ) dhe deri në njoftimin që je përfitues/e kalojnë gati dy muaj .

  Ajo ka përfituar një bonus prej 19.800 lekësh në muaj, por për muajin e parë i janë kaluar vetëm një pjesë e kësaj shume, 11200 lekë, që përfshin 17 ditë nga zbardhja e vendimit.

"Ka një mungesë informacioni nga ana e bashkisë, unë vetëm jam njoftuar që jam përfituese, por asgjë tjetër. as data kur do të më kalojnë paratë, sa do të më kalojnë. Ndërkohë që as nuk u njoftova që këtë muaj pagesa nuk do të ishte e plotë, pasi janë llogaritur vetëm ditët në momentin e miratimit. Por unë kam paguar dy muaj paradhënie me shpresën që të paktën të marr lekët nga bashkia", - na thotë ajo.

Pa e fshehur optimizmin dhe falenderimin që më në fund po përfiton bonusin e qirasë, ajo apelon për pak më shumë transparencë.

"Ndoshta dikujt mund ti duken gjëra të vogla, por ne aty i kemi shpresat", - thotë ajo.

Në këtë situatë të strehimit ajo gjeti mbështetjen nga përfaqësueset e projektit “Lëviz për strehimin social të grave të divorcuara/kryefamiljare/me urdhër mbrojtje në Bashkinë e Tiranës“ të mbështetur nga Lëviz Albania dhe tashmë është bërë një aktiviste, duke u takuar me gra të tjera, i ndërgjegjëson për të aplikuar në këtë program pranë njësive administrative dhe në këtë mënyrë e vënë në lëvizje administratën e pushtetit vendor  t’ju shërbejë cilësisht dhe në funksion të ligjit qytetarëve.

"Jam optimiste. Tani kam shtëpinë time, vajzën e kam rregulluar në një kopësht publik, falë mbështetjes së profesoreshës time të universitetit ku kam studiuar. Unë shoh dritë në fund të tunelit", -përfundon ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë