Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi me shumicë votash gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës, Gerd Hoxha, ndërkohë që unanimisht dërgoi për inspektim në ILD dy vendimmarrje të tij.
Inspektimi lidhet me dy vendimmarrjet e gjyqtarit Hoxha gjatë kohës që ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që pas reformës në drejtësi u shkri. Vendimi i parë kishte të bënte me dhëninen e lejes së famshme të lindjes për ish-gjyqtarin dhe ish-anëtarin e KLD-së, Gjin Gjoni dhe i dyti për rrëzimin e kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë për shkarkimin e ish-gjyqtarit Petrit Aliaj.
Petrit Aliaj u shkarkua nga vettingu në korrik të 2020-ës, ndërsa në CV-në e tij ka një sërë vendimesh të bujshme, përfshirë atë të heqjes së dënimit me burg përjete të Dritan Dajtit.
Për këto dy vendime, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit vuri në dyshim aftësinë profesionale të gjyqtarit Gerd Hoxha dhe i kërkoi KPK-së vlerësim negativ në këtë kriter me arsyetimin se kishte “cenuar besimin e publikut të drejtësia”.
Në kriterin e pasurisë, KPK gjeti mungesa burimesh financiare për prona të përbashkëta që ai ka me ish-bashkëshorten e tij, po ashtu gjyqtare.
Prej rreth 18 vitesh, Gerd Hoxha ushtron profesionin e gjyqtarit dhe njëkohësisht është zgjedhur anëtar i KLD-së dhe kryetar i Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



