Pjesën dërrmuese të mbi 3 mijë ankesave ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve në Inspektoriatin e e Lartë të Drejtësisë kanë mbërritur në këtë institucion nga qytetarët, ndërsa institucionet e tjera shtetërore denoncojnë pak, ose aspak punonjësit e sistemit të drejtësisë.
Kreu i ILD-së, Artur Metani prezantoi para Kuvendit raportin vjetor të punës për vitin 2020. Ai tha se rreth 90 për qind e ankesave janë nga qytetarët, kryesisht për zvarritje të proceseve gjyqësore.
“Numri i ankesave është më i madh nga qytetarët rreth 90 për qind dhe më i pakët nga institucionet e tjera shtetërore. Qytetarët ankohen kryesisht për zvarritjen e gjyqeve dhe proceseve gjyqësore”, u shpreh kreu i ILD-së, Artur Metani.
Kuvendi i mblodh këtë të enjte me rend dite shqyrtimin e dy projektligjeve dhe prezantimin e gjashtë raporteve të institucioneve të pavarura, mes të cilave edhe të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, i qortuar së fundmi në rastin e gjyqtares së Elbasanit, Enkeleda Hoxha për mosveprim kur ajo liroi nga burgu Viktor Ymerin, një anëtar të bandës së Gaxhait.
Kreu i ILD-së, Artur Metani tha se përgjatë vitit 2020 institucioni që drejton ka miratuar 8 vendime për fillim hetimi disiplinor për prokurorë dhe gjyqtarë, ndërsa si problematikë nënvizoi edhe njëherë tjetër mungesën e burimeve njerëzore për të përballuar fluksin e punës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



