Në prag të takimit me kryeministrin Albin Kurti, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se reagimi i Beogradit do të jetë “shumë i fuqishëm dhe i ashpër” sa i përket mosrespektimit të marrëveshjeve ligjore të nënshkruara në Bruksel, në lidhje me formimin e Asociacionit e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Është në rregull të jesh i butë dhe të bësh kompromis. Por kur dikush të shtyn drejt një muri, kur sheh se dikush nuk dëshiron kompromis, duhet të tregosh mprehtësi dhe forcë,” tha ai në një konferencë për media, pas takimit që ka pasur me përfaqësuesit nga Republika Sërpska ku gjithashtu shtoi se kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin do ta trajtojë si “çdo përfaqësues tjetër të institucioneve të përkohshme”.
Kurti, nga ana tjetër, tha në Prishtinë se takimi në Bruksel “nuk është takim i vazhdimit të dialogut, por është takimi i parë i tij me presidentin serb.
“Pra ky është takim i parë, dhe aty do të shohim se çfarë mund të jetë kapitulli i ardhshëm i dialogut. Është takim për dialogun e ardhshëm, por nuk është vazhdim i dialogut të mëhershëm”.
I pyetur nga gazetarët për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, Kurti ka thënë se nuk mund të ketë asociacion një-etnik në Kosovë.
“Se çfarë do të ndodhë me Asociacionin e ka thënë edhe peticioni i qytetarëve, edhe veprimet e atëhershme opozitare, si dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Në Kosovë nuk mund të kemi asociacion një-etnik. Pra, është e domosdoshme t’i integrojmë të gjithë qytetarët, pa dallim etnie”, deklaroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




