Shqipëria dhe Kosova kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në forcim të luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave, terrorizmit dhe veprave tjera penale.
Kreu i SPAK-ut, Arben Kraja ka qenë të mërkurën në Prishtinë, ku është takuar me Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi.
Marrëveshja parashikon zbulimin, hetimin dhe dënimin e të gjithë autorëve e përfshirë në veprimtaritë kriminale, duke shkëmbyer informacione, dokumente që lidhen me hetimin dhe kompetencat respektive mes autoriteteve.
Palët nënshkruese të memorandumit, kanë rënë dakord që të promovojnë zhvillimin e kontakteve dhe marrëdhënieve në nivel profesional të zyrave përkatëse, duke i caktuar edhe pikat kontaktuese për shkëmbimin e informacioneve dhe akteve tjera të nevojshme.
Dy zyrtarët e lartë shqiptarë, kanë theksuar se memorandumi do të thellojë bashkëpunimin e strukturave hetimore në të gjithë rajonin.
“Është e rëndësishme që të gjithë në rajon të shkëmbejmë informacione, të kemi kontakte por edhe të njohim njëri – tjetrin sepse duke njohur njëri tjetrin edhe puna do ketë më shumë sukses, dhe padiskutim që në të ardhmen do të flasim edhe për gjëra konkrete”, ka thënë Kraja.
Ndërsa zyrtari nga Kosova, ka shtuar: “Ne kemi pasur edhe raste të tjera hetimi dhe bashkëpunimi shumë të suksesshme në luftën ndaj krimit të organizuar. Ai që mund të përmend është rasti kur po përgatitej vepra penale ndaj terrorizmit gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



