Beogradi i kërkoi sot Rusinë të mbështesë fuqishëm qëndrimin se Kosova është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë.
Duke folur në Dumën Ruse, kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç tha gjatë një vizite zyrtare në Moskë se për Serbinë është e rëndësishme mbështetja e Rusisë në respektimin e Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara, mbi praninë e forcave ushtarake ndërkombëtare në Kosovë.
“Sot, Rusia është mbrojtësja më e madhe dhe më me ndikim e interesit tonë suprem kombëtar, të cilin e mbron vazhdimisht në skenën ndërkombëtare, dhe ai është ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Serbisë”, tha Daçiç.
Ai tha se Beogradi po zhvillon një dialog konstruktiv me Prishtinën dhe se ai dëshiron një kompromis, i cili do të çojë në paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon.
Daçiç tha se Serbia nuk do të lejojë që zgjidhjet të imponohen dhe të jenë të njëanshme.
Duke iu referuar rrugës për në Bashkimin Evropian, Daçiç tha se Serbia dëshiron të hyjë në BE dhe të punojë në këtë drejtim, por, sipas tij, ajo nuk do të pranojë që në këtë rrugë të vendosen pengesa, siç është njohja e Kosovës.
Bisedimet mes dy vendeve pritet të vazhdojnë këtë muaj me një takim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Të martën, gjatë një vizite në Prishtinë, zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Mattheë Palmer, ka thënë se njohja e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë qëllimi kryesor i dialogut mes dy shteteve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




