Drejtësia

Lejoi shembjen e dy objekteve, merret nën hetim ish-kryetarja e Bashkisë Gjirokastër

Ish-kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami, është marrë zyrtarisht nën hetim nga SPAK me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Sipas Gjykatës së Posaçme të GJKKO-së, Rami ka prishur dy banesa në Gjirokastër, të cilat kanë qenë me dokumentacion të rregullt, duke shkaktuar një dëm prej 5 milionë lekë të reja.

SPAK dyshon se shkeljet janë kryer gjatë zbatimit të projektit për “Rikonstruksionin e rrugës Kryqëzim me rrugën nacionale (Postbllok) – Sheshi i Çerçizit”, si dhe për “Rikualifikimin e hapësirave publike dhe rrugës hyrëse pranë Memorialit të Rilindësve në Gjirokastër.

Në vitin 2019, pronarët e banesave të prishura për shkak të zbatimit të dy projekteve denoncuan Ramin në Prokurorinë e Gjirokastrës për “shpërdorim detyre”.

Sipas tyre, shembja e objekteve është kryer, pa marrë një vendim shpronësimi për këto pasuri. Më pas, organi i akuzës në Gjirokastër, e transferoi dosjen për kompetencë në SPAK.

Zamira Rami u zgjodh në krye të Bashkisë Gjirokastër në vitin 2015, si përfaqësuese e LSI-së. Pas vendimit të opozitës për të bojkotuar zgjedhjet lokale të 2019-ës, Rami nuk kandidoi për një mandat të dytë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë