Kosova

Dialogu me Serbinë, Palmer dhe Lajçak vizitë në Kosovë

Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit të SH.B.A.-ve, Mattheë A. Palmer e filluan javën me një vizitë dy ditore në Kosovë.

Arsyeja e vizitës lidhet me rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, përkatësisht përgatitja e takimit mes Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Sipas njoftimit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë gjatë vizitës së tij dy ditore, Lajçak do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, kryeministrin, Albin Kurti dhe zyrtarë tjerë.

“Lajçak gjithashtu do të takohet me komunitetin ndërkombëtar në Kosovë dhe do t’u drejtohet Shefave të Misioneve të BE-së”, thuhet në njoftim.

Edhe ambasada amerikane në Prishtinë përmes një postimi në rrjetin social, Tëitter, konfirmoi arritjen e zyrtarit të Departamentit amerikan të Shtetit, Mattheë A. Palmer.

Sipas njoftimit, Palmer do të diskutojë me zyrtarët e Kosovës për sfidat, mundësinë dhe çështjet e ngutshme me të cilat ballafaqohet Kosova.

Gjatë vizitës së fundit në Brusksel, më 18 maj, kryeministri Kurti është shprehur se takimi me Vuçiç mund të ndodh diku në mesin e muajit qershor. Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe Siguri, Josep Borrell kishte deklaruar se shpreson që dialogu në nivel të lartë të ndodhë para 22 qershorit.

Vizita e përbashkët e Lajçakut me Palmerin në Kosovë, sipas burimeve diplomatike në Bruksel, do të bëhet edhe për të dërguar mesazhin se SHBA-ja dhe BE-ja bashkëpunojnë ngushtë sa i përket dialogut dhe kanë qëllime të ngjashme për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Edhe në Kosovë është kërkuar që të ketë një angazhim më të madh amerikan në dialog.

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë