Kosova

Kosova heq orën policore dhe lejon dasmat

Qeveria e Kosovës ka vendosur të lehtësojë masat kundër përhapjes së Covid-19, duke hequr orën policore dhe duke lejuar mes të tjerash edhe dasmat.

Lajmi u bë publik pas një takimi mes ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe krerët e Komunave të Kosovës, të cilët po i kërkojnë prej kohësh qeverisë së Albin Kurtit heqjen e masave kufizuese për të mos dëmtuar më tej ekonominë.

Në një njoftim zyrtar, Vitia bën të ditur se heqja e orës policore dhe festat nëpër bare dhe lokale do të lejohen në fillim të sezonit turistik më 15 qershor.

Asociacioni i Komunave të Kosovës, përmes një njoftimi, ka mirëpritur vendimin, duke thënë se lejimi i festave, ahengjeve dhe dasmave do të ketë një ndikim direkt në zhvillimin ekonomik lokal.

Sipas vendimit të qeverisë, pritet që baret dhe lokalet në Kosovë të lejohen të punojnë deri në orën 24:00, ndërsa organizimi i dasmave pritet të lejohet nga 15 qershori.

Më 18 prill, Qeveria e Kosovës forcoi masat e përgjithshme në nivel vendi, për të parandaluar përhapjen e COVID-19, duke vendosur kufizimin e lëvizjes, nga ora 22:30, e duke ua ndaluar punën bizneseve nga ora 22:00.

Por pas uljes se rasteve me koronavirus dhe uljes së numrit të viktimave qeveria duket se ka vendosur t’u mundësoj bizneseve të punojnë pothuajse normalisht gjatë sezonit turistik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë