Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka dërguar këtë të premte ftesë për takime tre liderëve të subjekteve opozitare në Kuvend, për të diskutuar në lidhje me çështjet me interes kombëtar, të cilat qeveria do të duhet të ketë me përparësi gjatë këtij mandati. Edhe pse nuk përmendi konkretisht, mediat në Kosovë thonë që temë kryesore pritet të jetë dialogu me Serbinë, për të cilën Kurti ka thënë disa herë se do të diskutonte me partitë në opozitë.
Ftesa i qeverisë është dërguar Enver Hoxhajt të Partisë Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut kryetari i Lidhjës Demokratike të Kosovës, si dhe dhe Ramush Haradinaj kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Takimet planifikohen të mbahen gjatë fillimit të javës së ardhshme, sipas orareve të përshtatshme për të gjitha palët, dhe do të jenë në shërbim të mirinformimit dhe bashkërendimit të spektrit politik për çështje me interes të Republikës së Kosovës.
Deri tani, përgjigje pozitive kanë kthyer Abdixhiku dhe Haradinaj.
Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka përmendur veçanërisht dialogun si çështje diskutimi në takimet e paralajmëruara. Ajo ka thënë se partia do të luajë rolin e saj në këtë proces.
“LDK është e përkushtuar që dialogu të përfundojë suksesshëm me njohje reciproke, në kufijtë aktual dhe në respektimin e parimeve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në kuadër të kësaj LDK do të luajë rolin e saj, duke dhënë kontributin në Kuvendin e Kosovës, si parti opozitare. Ky rol i LDK-së karshi dialogut tanimë është i formësuar dhe si i tillë do të prezantohet në secilin format të takimeve”, ka thënë Halimi
Ftesës i është përgjigjur edhe AAK-ja e ish-kryeministrit Haradinaj, ndërsa PDK-ja nuk ka dhënë ende qëndrim, por ka paralajmëruar konferencë gjatë ditës së premte.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




