Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar pas darkës së punës në Bruksel me liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor se Kosova dhe Serbia do të rifillojnë sërish dialogun në qershor, kur kreu i qeverisë pritet të ketë një takim me presidentin serb.
Darka e përbashkët u mbajt në nivelin e kryeministrave, përveç Malit të Zi, i cili u prezantua nga presidenti. Ndërsa nga BE ishte edhe komisioneri për zgjerimin. Darka e përbashkët ku ishin edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Kosovës, Albin Kurti, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanovic, dhe përfaqësuesi i Bosnjë-Hercegovinës, ka zgjatur rreth dy orë.
Kurti pas darkës deklaroi për mediat e Kosovës se BE-ja duhet t’i përmbahet tri vlerave, në mesin e të cilave është edhe përballja me të kaluarën. Kurti tha se në shtete të Ballkanit Perëndimor ka ende “kriminelë të luftës dhe të paqes”, duke aluduar për kreun e shtetit të Serbisë.
“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të mund të ecin shumë më shpejt nëse u përmbahen 3 vlerave: demokratizimit, sundimit të ligjit, nëse luftohen oligarkitë në ekonomi dhe ballafaqimit me të kaluarën, pra duhet të eliminohen nga skena politike e institucionale kriminelët e luftës e paqes”, theksoi Kurti duke shtuar se “edhe më tej, në Ballkanin Perëndimor kemi kriminelë të luftës dhe të paqes që dominojnë në institucione”.
Takimi i radhës në këtë format do të mbahet në një prej vendeve të Ballkanit, bëri të ditur kryeministri i Kosovës.

Ndër kërkesat e tij kryesore në këtë takim ishte liberalizimi i vizave dhe domosdoshmëria e rritjes ekonomike, si pasojë e investimeve që vijnë nga Evropa. Në kornizat e këtij takimi ai ka përmendur edhe domosdoshmërinë e njohjes së Kosovës nga pesë vendet e tjera të BE, që nuk e kanë njohur deri më tani – Greqia, Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Qipro. Gjatë ditës së djeshme Kurti është takuar edhe me ndërmjetësin e BE në dialog, Miroslav Lajçak, me të cilin ka biseduar për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi. Sipas Kurtit,dialogu mund të vazhdojë diku nga mesi i qershorit, ndërsa ai premton se do të përgatitet mirë për këto takime dhe do të ketë konsultime me liderët e partive opozitare në Kosovë.
Kurti, tha se një takim i planifikuar të mbahet në mesin e qershorit, ai dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçic, do të dikutohet rreth mënyrës se si do të ecet tutje në procesin e dialogut.
“Do të ketë takim për të diskutuar se si të vazhdohet me dialogun më tej, cili duhet të jetë kapitulli i ri i këtij dialogu, me çfarë agjende e kështu me radhë. Pra, kemi nevojë të dakordohemi për procesin përpara, me qenë se nuk mund të vazhdojmë ashtu siç ishte në këto vitet e fundit e me qeveritë e kaluara”, tha Kurti. “Duam dialog të përgatitur mirë, parimor, si palë të barabarta, në të cilën, natyrisht, thelbi është ai që tashmë e ka thënë edhe presidenti i ri amerikan, Joe Biden, por edhe shumë liderë të tjerë botërorë se zgjidhja e ka emrin në formën e togfjalëshit: njohja reciproke. Pra, as Serbia s’e njeh Kosovën, por as Kosova s’e njeh Serbinë dhe njohja reciproke është ajo që do të kontribuonte shumë për paqen, stabilitetin dhe sigurinë afatgjate në Ballkan”, shtoi ai.
Kryeminsitri Kurti tha se raundit të ri të dialogut do t’i paraprijë një takim me liderët e partive opozitare në Kosovë dhe një seancë e Kuvendit të Kosovës, ku do të diskutohet për gjendjen me dialogun, përfshirë edhe rishikimin e marrëveshjeve të arritura më herët, siç u shpreh ai, në kuptimin e zbatimit të tyre, por edhe të ndikimit që kanë për qytetarët.
Serbinë në këtë takim e ka përfaqësuar Ana Brnabic dhe jo presidenti Aleksandar Vuçic, siç është pritur. Brnabiq shpreson se “viti 2021 do të jetë më i suksesshëm për Serbinë dhe të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”. Ajo tha se darka e përbashkët ka qenë e suksesshme dhe e organizuar ” nga njerëz, të cilët vërtet duan ta çojnë përpara procesin e zgjerimit”.
“Do të thosha se kësaj radhe kemi trokitur në dyer të hapura. Një rekomandim i mirë ishte që të jemi më shpesh të gjithë së bashku prezent në vendet anëtare të BE dhe të bisedojmë më shumë me ta, e të informohem për qëndrimet e tyre ndaj vendeve tona. Për shkak të pandemisë, këto vende janë më pak të informuara për vendet e BP”, tha Brnabic. Ajo shtoi se këtë vit duhet të fillojnë punimet edhe në projektet rrugore prej Nishit, përmes Prishtinës deri në Durrës. Në fillimin e ndërtimeve do të jenë të pranishëm edhe përfaqësuesit e BE.
Brnabcq tha shkurt se me Albin Kurtin nuk ka pasur bisedime të ndara dhe se gjatë darkës nuk ka pasur provokime dhe se ata janë përpjekur të bisedojnë për të ardhmen. Kryeministrja e Serbisë tha se Serbia do të jetë më e pranishme në vendet anëtare dhe do të shpjegojë se çfarë po ndodh, dhe se ishte e sigurt se vendet anëtare të BE i kanë kuptuar shumë gjëra që kanë të bëjnë me rajonin.
“Një prej tyre është që kur vijnë në Serbi, Maqedoni të Veriut apo në Shqipëri, shtetasit e këtyre vendeve nuk kanë nevojë për pasaportë, por kalojnë vetëm me letërnjoftime. Gjërat e tilla duhet të vazhdojnë të promovohen”, theksoi Brnabiq.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




