Ekonomi

Rriten të ardhurat buxhetore për 4-mujorin e parë të vitit 2021. Ulen shpenzimet

Sipas Ministrisë së Financave të ardhurat totale gjatë 4mujorit të parë të vitit 2021 rezultojnë më të mëdha nga se ishin planifikuar, duke arritur në vlerën e 152 miliardë lekëve, 19 miliardë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Shpenzimet e përgjithshme rezultuan më pak nga se ishin menduar, duke arritur në vlerën e 166.9 miliardë lekë, 18.1 miliardë më pak se e njëjta periudhë e vitit të shkuar.

Niveli i deficitit në muajin e katërt të vitit 2021 rezultoi në rreth 14.6 miliardë lekë, ose rreth 927 milionë lekë  më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.

 Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 52.8 miliardë lekë, 9 miliardë lekë ose 20.7% më shumë se 4 mujori 2020.

Nga këto, 35.9 miliardë lekë erdhën nga TVSH duke u rritur me 25% nga 4mujori i parë i 2020-s. 14 miliardë lekë nga akciza, 11.4% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar. 800 milionë lekë nga renta minerare. 2 miliardë lekë nga taksa doganore, 19.5% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2020. 

Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 4mujorin e parë 2021 u realizuan në masën 79.9 miliardë lekë, 9.2% më shumë se 4mujori i parë i vitit të kaluar.

Nga këto të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (bruto), u realizua në masën 17.6 miliardë lekë, 16% më shumë se një vit më parë. Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 13 miliardë lekë, 19.7% më shumë se 4mujori i parë i vitit të shkuar.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 12.9 miliardë lekë, 16.8% më shumë se periudha janar-prill 2020. Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 35.1 miliardë lekë, 11.9% më shumë se 4 mujori 2020.

Shpenzimet korente dhe ato kapitale, për periudhën 4 mujore, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 100.2% dhe 78.7% të planit të periudhës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë