Kosova

Radhë të gjata në Prishtinë për t’u vaksinuar, MSH: Shmangni grumbullimet

Në Kosovë, qendra e vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë, ka pasur një fluks qytetarësh, ku pjesa më e madhe kanë ardhur nga komunat e tjera. Një situatë e tillë, ka shkaktuar radhë të gjata, me qytetarët që janë ankuar të autoritetet shëndetësore.  

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar për këtë gjë, duke iu kërkuar qytetarëve t’u drejtohen qendrave të vaksinimit në komunat e tyre.

“Grumbullimet e krijuara sot para sallës ‘1 Tetori’, vijnë si pasojë se aty kanë ardhur të vaksinohen qytetarë edhe nga komunat e tjera, përkundër njoftimeve të bëra ditëve të kaluara dhe dje se qytetarët do të vaksinohen në komunën e tyre”, – thotë MSH.

Kjo e fundit sqaron se vaksinimi kundër COVID-19 është një proces dinamik që do të vijojë deri në vaksinimin e të gjitha kategorive sipas planit.

MSH në Kosovë, i lutet qytetarëve që të informohen nga njoftimet e autoriteteve dhe të shmangin grumbullimet para qendrave të vaksinimit, pasi “mundësia e vaksinimit do të jetë e hapur çdo ditë në secilën komunë”.

Në sallën “1 Tetori”, po vijon vaksinimi vetëm për qytetarët e Prishtinës në bazë të rekomandimeve sipas Planit Shtetëror të Vaksinimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë