Kosova

Kosova mund të padisë Serbinë për gjenocid vetëm nëpërmjet Shqipërisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është i vendosur që gjatë mandatit të tij qeverisës ta padisë Serbinë për gjenocid në Kosovë gjatë periudhës së luftës. Këtë pikë kryeministri i Kosovës e ka përfshirë në programin qeveritar duke thënë, se padia për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të jetë një nga përparësitë e punës së tij gjatë mandatit qeverisës. Por duke qënë se nuk është pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ekspertët thonë që Kosova mund ta padisë Beogradin vetëm nëpërmjet një vendi të tretë, i cili ka më shumë gjasa të jetë Shqipëria,

“Ne jemi të bindur që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë në luftën e fundit tek ne dhe kjo e meriton një padi dhe qeveria e Republikës së Kosovës e ka përgatitjen e saj obligim ndaj historisë tonë, ndaj qytetarëve që kanë plagët e hapura dhe qe besa edhe ndaj ardhmërisë sonë, që kërkon një shtet demokratik, një shtet të drejtë në të cilin dihet qartë se kush është agresori e kush është viktima”, tha kryeministri Kurti pas miratimit të programit të vet qeveritar.

Paralajmërimi i qeverisë së Kosovës nxiti reagimin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili tha se “Kosova nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, meqë nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara”. Madje ai i rekomandon Kosovës që mos të provojë ta bëjë një gjë të tillë”, duke e cilësuar edhe si kërcënim. “Po kërcënoni Serbinë me gjyq për gjenocid? Mund ta realizoni këtë vetëm përmes një shteti tjetër, që është Shqipëria, e kjo do të thotë bashkim me Shqipërinë. U kërkoj shqiptarëve të Kosovës që të mos e bëjnë këtë”, tha Vuҫic citojnë mediet në Serbi presidentin serb.

Njohësit e çështjeve juridike nga ana e tyre shprehen skeptik për nismën e qeverisë së Kosovës për ta paditur Serbinë për gjenocid në Kosovë, pikërisht duke përmedur faktin që Kosova nuk është anëtare e OKB-së. Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) shprehet si në aspektin formal, Kosova nuk ka kapacitet për të ushtruar padi për gjenocid ndaj Serbisë. Shtetndërtimi i Kosovës është i lidhur dhe i varur nga mbështetja dhe ndihma  e partnerëve ndërkombëtarë, andaj edhe çdo veprim në këtë drejtim duhet të ketë vëmendjen e tyre, koordinimin dhe bashkëpunimin. Çdo veprim i njëanshëm i Kosovës pa pajtim me SHBA-në dhe BE-në, kam frikë se do të kishte kundërefekt dhe do të vinte Kosovën në një situatë të pafavorshme”, thotë Ehat Miftaraj.

Sipas tij edhe nëse Kosova do ta padisë Serbinë për gjenocid nëpërmjet Shqipërisë, kjo mund të sjellë telashe të tjera. “Në aspektin formal Shqipëria ka të drejtë të ushtroj padi njësoj si çdo shtet anëtar i Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Por se shtetet e tjera serioze në këtë rast do të hezitonin të ndërmerrnin një hap të tillë duke marrë për bazë lidhjen shumë të afërt dhe vëllazërore që ka Shqipëria me Kosovën”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë