Kosova

Debate të ashpra në Kuvendin e Kosovës, ndërpritet seanca plenare

Seanca sotme e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pasi disa nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, janë përplasur me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci si dhe disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Para se të ndodhte incidenti, deputetët e PDK-së u larguan nga salla e Kuvendit me arsyetimin se nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci ishte duke e u hequr mundësinë të flisnin.

Ndërkohë që deputetët e PDK-së po largoheshin nga salla, deputetët Memli Krasniqi dhe Ardian Kastrati u përplasën me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci. Në këtë debat u përfshi edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci si dhe disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë Salih Zybën dhe Besim Muzaqin.

Debati i parapriu një debat i ashpër në mes të deputetëve të opozitës si dhe të atyre nga radhët e Vetëvendosjes. Seanca është ndërprerë edhe pas përplasjeve të opozitës me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Në seancën e 6 majit ishte planifikuar që të shqyrtoheshin rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në lidhje me kërkesën e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë